Flash News

KRYESORE

Thirrja e PD për të dhënë sqarime, reagon Sokol Sadushi: Tentativë për të më dëmtuar

Thirrja e PD për të dhënë sqarime, reagon Sokol Sadushi:

Pas deklaratës së Partisë Demokratike e cila i kërkonte reagim në lidhje me faktin nëse është apo jo “funksionari i lartë i drejtësisë” që sipas prokurorisë është takuar me botuesin Henri Çili dhe ka premtuar ndërhyrje për kërkesat e dy të dënuarve për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha, ka ardhur edhe reagimi i gjyqtarit Sokol Sadushi.

Nëpërmjet një deklarate të posaçme, Sadushi njofton se deklaron me përgjegjësi të plotë se me Z. Henri Çili prej shumë kohësh nuk ka pasur asnjë komunikim.

“Duke marrë shkas nga përmendja e emrit tim në deklarime politike të bëra këto ditë nëpërmjet medias, ndihem i obliguar të informoj opinionin publik dhe mediatik se: Çdo pyetje retorike e shtruar këto ditë, nëpërmjet deklarimeve politike, mediatike dhe që vë në dyshim integritetin moral e profesional, duket se ka për qëllim të dëmtojë personalitetin tim, pikërisht në këtë moment që lidhet me procedurën e nisur për kandidimin si gjyqtar i Kolegjit Administrativ në Gjykatën e Lartë. Deklaroj me përgjegjësinë time të plotë se, me Z. Henri Çili prej shumë kohësh nuk kam pasur asnjë komunikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, në ambiente publike apo private, për asnjë çështje, përfshirë ato që implikojnë personalitetin tim dhe, për më tepër, që lidhen me çështje gjyqësore penale.

Çdo deklarim i bërë ndaj personit tim mbi këtë ngjarje nuk përputhet me të vërtetën, sikurse jam i bindur se do të rezultojë në përfundim të procesit penal. Në rrethana të tilla, kur çështja dukshëm është me interes publik, sugjeroj se nëse është i vërtetë fakti mbi takimin e realizuar me “një funksionar të lartë të drejtësisë“, do të ishte me vend që organi i prokurorisë të sqarojë opinionin publik mbi detajet e këtij takimi.

Informimi i opinionit publik i shërben, gjithashtu, ruajtjes dhe forcimit të autoritetit të pushtetit gjyqësor dhe forcon klimën e besimit në organet që ushtrojnë ndjekjen penale”, thuhet në reagimin e Sokol Sadushit.

Të fundit