Flash News

KRYESORE

Timoni është i imi, penalltinë e gjuaj vetë!

Timoni është i imi, penalltinë e gjuaj vetë!

Leonard Boduri

I dashur babagjysh! Të falënderoj shumë për dhuratat e vitit 2017, sidomos që m’i hoqe qafe LSI-në dhe PDIU-në (demek aleanca me tre bashkëkryetarë) që donin të fusnin duart te lodrat e mia, te timoni im i dashur. Të poshtrit! E luanin rrugës timonin sa andej këtej dhe donin të më hidhnin në greminë.

Që të jem plotësisht i sinqertë, ma prishe pak qejfin me atë çadrën për muaj me radhë para zyrës sime, e cila me siguri u ngrit për të minuar vetingun dhe reformën në drejtësi. Ama edhe ne nuk ia lamë mangut, lëshova Lali Erin për të ngritur çadrat e shoqërisë sonë civile të pavarur.

Më në fund, falë këmbënguljes sime romantike u takova me Lulin. Djalë i mirë pa shumë pretendime. Ia lashë një xhiro timonin për ca ditë dhe atij nga kënaqësia e madhe i ngriu timoni në mes të korrikut.

Në korrik i dhashë një timon lodre (Presidencën) edhe LSI-së, se nuk u bë qameti!

Ëndrra u bë realitet. Më në fund në timonin e vërtetë, kryelartë, isha vetëm unë. Për Shqipërinë që më duhej! Koncesione, tendera, (në shërbim të popullit e kam fjalën) të gjitha në dorën time!

Papritur, si për dreq, marr vesh se kampioni im (Saja) nuk ishte veç një dru i shtrembët që ishte futur në rrotat e makinës sime për të penguar drejtimin e duhur.

Prit një sekondë, se u ngatërrova pak: ky druri i shtrembët u drejtua prapë se ashtu doli një muhabet rrugës…Nejse!  

Ore, si mund ta lija unë ish-kampionin tim në dorë të drejtësisë së korruptuar dhe sidomos të pavetuar. Nuk e mbrojta kampionin, por gjykatës nuk ia dorëzoja dot. Saja vetëm sa kishte lyer pak rrotat e makinës, timonin nuk e kishte prekur fare.

Mirëpo u tërbova fare kur mora vesh se kampioni im (që kishte shkatërruar 99.8 përqind të kanabisit) më kishte mbajtur një të fshehtë të tmerrshme: pa pikë turpi kishte marrë, jo një po dy patenta skafi. Vija e kuqe ishte shkelur!

Më thuaj, i dashur babagjysh, a durohet kjo? Unë pa patentë fare, as biçikletës nuk di t’i jap mirë, dhe ky shkon e bën një karshillëk të tillë! Pasi shkatërronte mijëra hektarë të mbjella me kanabis, ashtu i rraskapitur, pas pune shkonte dhe bënte xhiro me avionët sportivë. E padurueshme! E gjithë kjo pas shpinës sime: që unë vdes për të (Unë e dua Sajmirin!). VEMJA!!!

E lamë te vetingu më duket. Ah, po, Lali Eri, kampioni rezervë, nuk i solli ata të çadrës sonë të vetingut. Prit sa t’ia rregulloj qejfin edhe atij se po del në kazanin mediatik më shumë se unë. Ke për ta parë që gozhda e tij herët a vonë do të ngecet në Sharrë. Është vetëm faji i tij që u bllokua vetingu! Unë jam gjithmonë i pafajshëm! Po nuk më besove shko pyet ambasadorët.

Më thuaj, çfarë duhet të bëja ta lija vendin pa prokuror?! Do pyesësh ti i habitur: prokuror pa veting?!

U mora vesh me LU-në. Ky LU e ka emrin, po nuk e LU fare timonin. Qershia mbi tortë ishte vota ime kundër Trumpit (jo kundër SHBA-së), kurse ky e ka mendjen te grepat e peshkimit. Me siguri nuk do bëhet peshkatar, po ka akoma mundësi të bëhet astronaut.

Timoni është vetëm i imi dhe penalltinë e drejtësisë do ta gjuaj vetë.

I dashur babagjysh, për vitin 2018 dua vetëm një dhuratë: PATENTËN!

Politiko.al

 

Të fundit