Flash News

KRYESORE

Tirana ku nuk ekziston e shkuara

Tirana ku nuk ekziston e shkuara

"Tirana është një qytet modern, që ka vetëm dy kohë; të tashmen dhe të ardhmen, ndërsa e shkuara nuk ekziston".  Kështu e përshkruan Tiranën Indro Montanelli, gazetari i njohur italian në vitin 1939. Në shkrimin e tij, Tiranën e përshkruan si një qytet gjithmonë në lëvizje, si atëherë edhe sot.

Në artikullin e “Il giornale dell’ architettura.com “, ndër të tjera shkuhet për pemët e mbjella nga kryebashkiaku Veliaj dhe për masterplanin e ri.

“Dy milion pemë të reja të mbjella në të gjithë territorin e Tiranës  do t'i japin një tjetër dimension qytetit me trazira urbane”, shkruhet më tej, ndërsa përmendet dhe rindërtimi i sheshit Skëndërbej, i mbushur me pemë dhe ndryshimet kulturore të bëra më tej.

Çështja e Teatrit Kombëtar është një tjetër pikë ku autori është ndalur gjatë në artikull.

"Tirana po kalon një epokë të transformimit dhe inovacionit", citon fjalët e përdorura nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj në prezantimin e projektit për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë,  projektuar nga Bjarke Ingels Group në qendër të Tiranës.

“Teatri i ri i projektuar nga BIG do të bëhet xhevahir i këtij transformimi në zemër të kryeqytetit! ", citohet Veliaj i cili shton se “këtu do të bashkohen artistë, ëndërrimtarë e talente”.

Më tej përshkruhet projekti i Teatrit Kombëtar. Në pjesën e brendshme të ndërtesës do të ketë tre dhoma: një auditor kryesor rrethuar nga dy dhoma të vogla , në pjesët anësore do të ketë një zonë të gjelbëruar. Po ashtu ambienti do të ketë një hapësirë dedikuar teatrit: holl, dhomë pritjeje, një ambient për ekspozitë, bar dhe restorant.

Mirëpo, ajo që mbetet shqetësuese janë vlerat kulturore dhe historike që humbasin nga ndërtim i  kësaj "krijese" gjigante.

"E kaluara nuk ekziston", shkruan autori, duke shtuar se në Tiranë janë ndërtuar objekte bashkëkohore të shumta, duke çmontuar pjesën urbane. Problematike mbetet ruajtja e një strategjie të trashëgimisë arkitektonike të shekullit të XX.

Asnjë zë nuk ndihet për të mbrojtur ato pak vlera historike osmane.

Ndërsa duke cituar Roberto Calasso, autori shkruan,  "Çdo gjë kalon dhe asgjë nuk mbetet. Nuk ekziston e reja, por kujtimet. E reja është ajo që kemi nga antikja”.

Lexo artikullin origjinal: Il farfallino di BIG nella Tirana dove non esiste il passato 

Të fundit