Flash News

KRYESORE

Tirana pranon se marrëveshja e Ohrit ka skaduar, Bushati: Duhet të shohim përtej

Tirana pranon se marrëveshja e Ohrit ka skaduar, Bushati: Duhet të

Që prej vitit 2001, respektimi i marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni ka qenë thelbi i çdo deklarate që bëhej nga zyrtarët e Shqipërisë, por 16 vite më pas, realiteti i ri i faktorit shqiptar brenda dhe jashtë Maqedonisë tregon se kjo marrëveshje e ka mbyllur misionin e saj.

Ndonëse Tirana zyrtare mohoi që të ishte përfshirë në deklaratën e partive shqiptare në Maqedoni, e cila shihej si zëvendësuesja e ‘Ohrit’, qëndrimi i mbajtur sot nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në krah të homologut Nikolla Dimitrov, konfirmoi zhvillimin e ri.

Bushati nuk e përmendi fare në fjalën e tij marrëveshjen e Ohrit dhe kjo u kap nga gazetarët në sallë, të cilët e pyetën për këtë risi në diplomacinë shqiptare. Bushati tha se “marrëveshja e Ohrit gjendet e trupëzuar në deklaratën e partive shqiptare por edhe në programin e qeverisë së re”, çka konfirmon se deklarata e firmosur nga partitë shqiptare ka zëvendësuar tashmë ‘Ohrin’.

“Marrëveshja e Ohrit gjendet e trupëzuar në deklaratën e partive shqiptare por edhe në programin e qeverisë së re, është edhe në platformën 3-6-9 të prezantuar në Bruksel dhe para partnerëve ndërkombëtarë. Më është bërë zemra mal kur krah për krah me Dimitrov, ishte edhe një ministër shqiptar, shtetas i Maqedonisë në Këshillin e Stabilizimit me Mogherinin dhe Hahn. Jemi në këtë fazë, pjesë e ndryshimeve janë bërë partitë shqiptare, po punojmë me njëri-tjetrin për ta fuqizuar këtë frymë ndryshimi, për të shikuar se cilat praktika duhen mbështetur për të shkuar përtej referimeve politike si ajo e Ohrit”, tha ndër të tjera Bushati.

Marrëveshja e Ohrit u firmos nga partitë shqiptare dhe maqedonase në gusht të 2001, duke i dhënë fund konfliktit të armatosur në Maqedoni. Me këtë marrëveshje, shqiptarëve iu gargantuan disa të drejta, siç ishte zyrtarizimi i gjuhës shqipe në ato zona ku shqiptarët përbënin 20% të popullsisë. Por, me deklaratën e re, shqiptarët kërkojnë më shumë barazi me maqedonasit dhe një prej kërkesave është miratimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjithë vendin.

Të fundit