Tiranë/Grabitën pronarin e pikës valutore, arrestohen edhe 3 persona të tjerë

Policia ka arrestuar sot edhe tre persona të tjerë, bashkëpunëtorë në sulmin me qëllim grabitjen e pronarit të një pike valutore në Tiranë, shtetasit A. Sh në rrugën e “Barikadave”, i cili ishte drejtuar bankës për të depozituar një çantë me para.

Dje u arrestua një prej autorëve, kurse një tjetër arriti të largohej bashkë me paratë.

Ndërkoë, krahas shtetasit Edvin Fata., 35 vjeç të kapur dhe të arrestuar që në momentin e vjedhjes, sot janë arrestuar edhe tre bashkëpunëtorët e tjerë, shtetasit: Ervis Berisha 37 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Vjedhje”); Blenard Hoxha, 27 vjeç, banues në Tiranë; Xhoni Dido 23 vjeç banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Vjedhje”).

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin paraditen e djeshme në rrugën e “Barrikadave” i kanë vjedhur me dhunë shtetasit A. Sh., një shumë parash.

Nga veprimet proceduriale të kryera rezulton se këta shtetas janë dhe autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më 07 janar 2019, në rrugën “Mine Peza”, ku dy persona të paidentifikuar, i kanë vjedhur me dhunë çantën shtetasit B. Sh., roje pranë një pike këmbimi valutor.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe sendet e përdorura nga këta shtetas gjatë vjedhjeve: Motorr skuter; kokore; tub metalik; thikë dhe doreza plastike; doreza dhe veshje të përdorura nga autorët; tre aparate celular dhe automjet.

Materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprën penale ‘’ Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim’’.