Tiranë/ Xhiroi gomat për t’u dukur para komisariatit, arrestohet drejtuesi 29 vjeçar (video)

Një 29 vjeçar u arrestua nga policia pasi me mjetin e tij luksoz sfidoi uniformat blu përpara komisariatit të policisë nr 6 të kryeqytetit, duke bërë xhirim gomash dhe manovra të rrezikshme. Por Policia Rrugore ra në gjurmë të drejtuesit dhe e arrestoi atë.

“Nisur nga postimi në disa portale online, ku shfaqej një automjet i markës ‘Mercedes Benz’ me ngjyrë të bardhë duke bërë manovra të rrezikshme dhe xhirime gomash në rrugën ‘Llazi Miho’, përpara Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, shërbimet e Policisë, pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave përreth vendit ku drejtuesi i mjetit kishte xhiruar gomat, bënë të mundur identifikimin e automjetit.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, në Unazën e Re u bë i mundur ndalimi dhe shoqërimi i drejtuesit të automjetit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë.”, ishte njoftimi i policisë.

Drejtuesi i mjetit do të procedohet penalisht për veprimet dhe sjelljet e rrezikshme në rrugë, si dhe procedimin administrativ për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, që kanë rrezikuar jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës që gjendeshin në afërsi të vendit ku automjeti po kryente manovrat e rrezikshme.