Flash News
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Adam Gopnik/ The New Yorker
Tom Wolfe, i cili vdiq të hënën, ishte - madje edhe për ata prej nesh që nuk ndanin mendimet politike të tij, dhe shpesh e përçmonin shijen e tij, apo dyshonin te ‘mençuria’ e modës së gjithë atyre kostumeve të bardha, duhet të pranojnë – një nga krijuesit qendrorë të prozës moderne amerikane. Stili i tij, kur u shfaq, në mes të viteve '60, ishte mbërthyes, dhe mbetet befasisht origjinal. Manierat e tij sipërfaqësore- gjithë ato "zowies!", elipset dhe fjalitë e thyera-ishin si tingulli i radios AM në të njëjtën periudhë, një kolazh britmash që kërkojnë vëmendje.
Por, nën manierizmat - jo, brenda tyre, pasi si me çdo shkrimtar të mirë, manierizmat janë bartësit e moralit – ai ishte një vëzhgues i një veçantie dhe saktësie pothuajse të tmerrshme. Në librat e tij më të mirë - The Electric Kool-Aid Acid Test dhe The Right Stuff shquhen si shumë të mirë - Wolfe bëri diçka më shumë se sa shprehja e kohës së vet, gjë që bëjnë siç duhet gazetarët. Ai gjeti një ton që përputhej me kohën. Duke pasur parasysh një realitet amerikan të çudive syshqyera dhe mbingarkesën psikedelike të artistëve strip-tease, shpinëthyer nga gjinjtë sintetikë dhe makinat e përshtatura deri në pikën e një stërhollimi rokoko-çdo ton që nuk ishte, në vetvete, i ngarkuar dhe madje pak rokoko do të dukej, ai e dinte, inert. Ishte ky besim që e çoi Wolfe në sulmin e tij dikur të famshëm, "Mumjet e vogla", për manierat me gjasë trullosëse të kësaj reviste (The New Yorker), dhe ndonëse mund të shohim njëfarë përligjieje të asaj kritike, gjithashtu është një ironi e këndshme të kujtosh se vetë stili i Wolfe ishte në fakt ai i A. J. Liebling të The New Yorker-it, ashtu si vetë Wolfe e pat pranuar.
Ai kishte, në kuptimin më të mirë, dhuntinë e njeriut me frazë shtatzanë. The Electric Cool Aid Acid Test, ashtu si Hydrogen Jukebox e Allen Ginsberg, ishte ai lloj slogani i paharrueshëm që çdo Mad Man do ëndërronte të krijonte. The right stuff-Gjërat e duhura, megjithëse ka hyrë në gjuhë si diçka që astronautët i thoshin njëri-tjetrit, ishte po aq shpikje e Wolfe-s, sa ç’ishte i njerëzve që ai po studionte, një frazë që ai e nxori nga guximi i tyre. Proza e tij shkrep dhe shkëndijon me metafora të tilla. Të thuash se teksti i Wolfe ishte përsosja poetike e artit të reklamimit të viteve gjashtëdhjetë, është vetëm një gjë e mirë- Wolfe aty mori shijen e frazave të fuqishme, ngarkesën e fjalive të shkurtra, ndërhyrjen befasuese, madje edhe pikësimin e egër të reklamave të viteve gjashtëdhjetë, dhe e ktheu në një lloj arti.
Por, edhe brenda sipërmarrjeve më të egra të Wolfe, mund të ndihet gjithmonë një rrahje e qetë e inteligjencës reflektive. Ai e kuptoi, për shembull, se Ken Kesey dhe Merry Pranksters, shumë larg nga të qenit bartës të psikedelizmit të viteve gjashtëdhjetë, në fakt ishin një urë mes dy kohëve, përfaqësues të kulturës hipster të pesëdhjetës që përballeshin me kulturën e re hipi. Momenti në libër kur bandat Kesey shohin Beatles, bartësit e valës së re, larg nga vendet e lira të sallës, ka patos më shumë se triumf.
Politika konservatore e Wolfe, ashtu siç vazhdoi gjatë viteve, kishte një logjikë të caktuar, edhe pse ishte e lehtë për t'i rezistuar, i mbushi librat e tij mbi artin dhe arkitekturën, ashtu si dhe çdo shkrim i drejtpërdrejtë politik, si me të famshmin Radical Chic kundër Leonard Bernstein dhe gruas së tij, të cilët kishin organizuar një festë për Black Panthers. Politika e tij ishte, si e çdo dandy, një politikë e stilit. Pikëpamja e tij ishte se ekzistonte një bërthamë e stilit autentik vernakular amerikan, nga e cila elitat ose amerikanët e mbiarsimuar përjetonin një turp të vazhdueshëm. Këtu përfshiheshin që nga kultura e Las Vegasit te ‘wall of sounds’ i Phil Spector, Hotel Fontainebleau në Miami dhe deri te çmenduria e një ‘barbecue party’ organizuar për astronautët në Koloseumin e Hjustonit.
Të sikletosur nga energjia e paturp e këtyre gjërave, intelektualët e New York-ut, sipas Wolfe, kishin future në punë dogmat e rralla, të varfëra dhe të zhveshura të abstragimit modernist, dhe në mënyrë të barabartë, arkitekturën dhe dizajnin minimalist ala Bauhaus. Që këto ishin pohime të diskutueshme - kritika e tij për botën e artit, te Painted Word, tregoi një ndjesi shumë më të madhe për fjalët sesa pikturat aktuale dhe shpesh të ndjeshme, sensuale që fjalët duhej të kishin prodhuar-nuk e ndryshoni fuqinë e tyre.
Nëse, ndonjëherë, politikat e tij kulturore kishte një ngjyrim të keq ksenofobie, me implikimin se mërgimtarët europianë kishin prishur energjinë demotike amerikane, ato bartnin të vërtetat e tyre të pamohueshme. Sigurisht, kushdo që vëzhgon epokën e Trump duhet të pranojë se, në betejën midis devotshmërisë së shijes së elitës dhe joshjes së demotizmit amerikan, gjithmonë fiton demotizmi. Se kjo mund të jetë e dhimbshme nuk e bën atë më pak të vërtetë.
Megjithëse, ndonjëherë Wolfe mendonte se ia vlente të luaje primitivin, ai ishte një njeri erudicioni të thellë, në mos të veçantë. Ai e vlerësonte veten si dishepull i Thorstein Veblen, një ‘student i shkollës së prestigjit’ të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë, dhe ashtu ishte. Nëse romanet e tij ndryshojnë në cilësi- Bonfoire of Vanities është me siguri më i miri prej tyre-kjo ka të bëjë me atë se dhuntia e tij natyrale si karikaturist veblenian nuk ishte shpesh e përshtatshme për një narrativë të plotë dhe tredimensionale. Ai ishte në majën e vet kur shpërthente.
Ai i pëlqente apo i dëshironte krahasimet me Dickens-in, por edhe më shumë me Disraelin, me të ciln ndante shijet dandy, politikën konservatore dhe dashurinë e tij për kanavacën e gjerë dhe plot ngjyra të krijimit, apo gjestet karikaturale dhe të forta. Dhe në qoftë se Wolfe, si romancier, herë pas here u zhyt në karikaturë, ishte fjala për karikaturën e modelit amerikan, veshur me guxim dhe të paharrueshme. I pajisur ndoshta me syrin më të fortë për manierat amerikane që nga Sinclair Lewis, ai mund të përshkruhet në një mënyrë me siguri: asnjë antologji amerikane e gjysmës së fundit të shekullit të njëzetë nuk mund të shkruhet në mënyrë të besueshme nëse Tom Wolfe shpërfillet.
*Perkthimi: Politiko.al