“Topi është në fushën e Bashës”; Mobilizohet kryeopozitari, takim 3 orësh në seli me Kryemadhin dhe Idrizin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme një takim në selinë blu me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi dhe kreu i PDIU Shpëtim Idrizi referuar zhvillimeve të fundit.

Takimi zgjati për 3 orë, ndërsa ende nuk dihet se çfarë është rënë dakord midis mes palëve opozitare. Ky takim vjen pas deklaratave të ambasadores amerikane Yuri Kim dhe kryeministrit Rama se “topi është në fushën e Bashës” (opozitës në këtë rast) dhe se “ata e kanë vetë në dorë të vendosin se çfarë duhet të bëjnë me të”.

Kujtojmë se, ende nuk kemi një kompromis për reformën zgjedhore, për të cilën palët janë ulur në tryezë prej janarit pas një marrëveshje që solli ngritjen e këshillit politik mes opozitës jashtëparlamentare, maxhorancës dhe opozitës parlamentare.

Çështja që i mban ende pezull situatën, pa arritur dot një marrëveshje, është pikërisht ajo e depolitizimit të administratës zgjedhore.