Flash News

KRYESORE

Tragjedia në Torovicë, flasin ekspertët: Ka akoma rrezik

Tragjedia në Torovicë, flasin ekspertët: Ka akoma rrezik

Dy ditë pas tragjedisë së ndodhur në fshatin Torovicë ku një masiv shkëmbi ka rënë mbi një makinë në të cilën udhëtonin dy vëllezër dhe nusja shtatzënë   e njërit prej tyre, kanë dalë rezultatet e shkakut të kësaj ngjarje.

Ekspertët e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar pas verifikimit të bërë ne këtë zona kanë dalë në përfundimin se shkak i rrëshqitjes së shkëmbit është bërë erozioni i tokës.

Vladimir Kola, inxhinieri Gjeolog, ka deklaruar se në të dyja anët e malit ka shkëmbinj të tjerë të cilët përbëjnë rrezik për këto zona të banuara. Sipas Kolës ka dy mënyra të cilat mund të shmangin rrezikun prej tyre të cilat nuk janë me shumë kosto.

“Ai nuk është shkëmbi i parë, që lëviz në atë zonë, por ky ka qenë ndër masivet më të mëdhenj. Lëvizja e atij guri ka ndodhur nga erozioni sepse kushtet atmosferike luajnë një rol kryesor në humbjen e ekuilibrit dhe prishjen e lidhjes së këtyre masivëve me shkëmbin kryesor. Kjo ka bërë që shkëmbi të bjerë dhe t’iu marrë jetën tri personave. Ne pamë situatën paraprake, pasi ajo do një krehje të të gjithë zonës edhe në pjesën e Kakarriqit dhe të Torovicës. Kjo për faktin, se në të dyja anët ka rrugë automobilistike. Atje konstatuam se ka edhe shkëmbinj të tjerë që janë rrezik për zonën e banuar. Masat nuk është se janë me shumë kosto të lartë. Mjafton verifikimi dhe pastaj do të marren masa inxhinierike, ose me zbutjen me thyerje të atyre gurëve, ose merren masa për stabilizimin e tyre, që mos të përbëjnë më rrezik,” shprehet Vladimir Kola.

Prefektura raporton se së shpejti do të hartohet një raport me ekspertë të fushës, ku do të përcaktohet shkalla e rrezikshmërisë dhe mënyra e ndërhyrjes. Më pas, raporti, që do të trajtohet si “emergjencë” nga ana e prefekturës, do t’i përcillet Shtabit të Emergjencës në Tiranë për ndërhyrje të mëtejshme.

Të fundit