Trau “presidencial” që Rama vendosi midis Shqipërisë dhe Kosovës

Gentian Gaba

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një President si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”. Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të mbajtur në Parlamentin e Kosovës, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë.

Në fund të këtij ylberi fjalësh, plot patos dhe emocion, gjejmë një tjetër barrierë që pengon de facto integrimin midis dy vendeve. Mbledhjet e përbashkëta të qeverive, ecejaket midis Tiranës dhe Prishtinës, lodrat politike që, medemek, qëllim të heshtur kanë bashkimin e mëtejshëm të shqiptarëve, por që në thelb mbeten një tango që secila qeveri vallëzon më vete, për përfitime politike imediate, në sy të elektoratit dhe ndërkombëtarëve;  nuk janë gjë tjetër veçse fasadë kuq e zi.

Në më pak se dy muaj, Presidenti i përbashkët u zëvendësua nga një tra.

Pas “shuplakave” amerikane dhe europiane, të cilat e detyruan ta cilësonte fjalimin në atë përvjetor të rëndësishëm për shqiptarët si një “vrap të imagjinatës”, Kryeministri nuk përtoi t’i jepte, me dorën e tij, një shuplakë deklaratës së vet, nëpërmjet taksës së “Rrugës së Kombit”.

Përtej deklaratave, aspiratave dhe batutave, për shqiptarët nga të dyja anët e tij, trau, është i vetmi që thotë të vërtetën mbi natyrën e politikës dhe patriotizmit të Kryeministrit.

Sepse Edi Rama fillon aty ku përfundon propaganda e tij.

Uniteti kombëtar nuk arrihet me llafe, e sidomos nuk arrihet me taksa dhe barriera. “Vrapi imagjinar” i Kryeministrit, i cili zgjati aq kohë sa zgjat vrapi i një gomari, u përplas, jo pa arsye, me traun që ngriti vetë.

Nëse uniteti kombëtar do të ishte një qëllim i diktuar nga ideale të kulluara patriotike, integrimi midis dy vendeve nuk do të lypte një President të të gjithëve dhe të asnjërit; as një tra të disave kundër interesave të të gjithëve, por vetëm integrimit  të mëtejshëm ekonomik.

Integrimi midis shteteve të ndryshme, si ai që nisi në Europë në vitet pesëdhjetë, dhe ka BE-në si rezultat, është një proces që nuk nis nëpërmjet institucioneve të përbashkëta simbolike, por nëpërmjet ekonomisë.

Integrimi ekonomik, bazat teorike të të cilit janë ngritur nga hungarezi Bela Balassa, është një proces pararendës i integrimit politik. Sipas Balassa, me rritjen e integrimit ekonomik, barrierat midis tregjeve pakësohen; lëvizja e lirë e faktorëve ekonomikë midis shteteve, në mënyrë natyrore, prodhon kërkesë më integrim të mëtejshëm, jo vetëm ekonomike por edhe politike.

Pra, nga ekonomia te politika, jo nga Presidenti te trau.

Katër mbledhjet e përbashkëta midis qeverive, deri më tani, kanë prodhuar vetëm shkresa, lajme dhe fatura për qytetarët e dy vendeve, të cilët paguajnë ekskursionet e atyre që kujtojnë se po ndjekin gjurmët e etërve themelues, por akoma nuk gjejnë kohë për të hequr pikat doganore midis dy vendeve. Deri këtu, fajin le t’jua japim të dyja palëve.

Por, taksa e kripur për “Rrugën e Kombit”, e cila nuk do të përmirësojë integrimin e mëtejshëm, ka emër dhe mbiemër, dhe disa nga efektet afatmesme dhe afatgjata do të jenë të qarta.

Sipërmarrësit, nga të dyja anët e traut, do të detyrohen  të gjejnë tregje më të aksesueshme dhe ekonomike. Rritja e kostove të mallrave dhe shërbimeve do të krijojë pasoja lehtësisht të kuptueshme për interesat e dy shteteve shqiptare.

Lidhjet e reja rrugore dhe hekurudhore të Kosovës me Shkupin dhe Beogradin, do të bëjnë që njëra nga kokat e shkabës të kthehet nga Federata e dikurshme, pasi, për të përdorur një aforizëm romak, pecunia non olet (paraja nuk mban erë).

Në këtë pikë, Kukësi do të na duket një dëm kolateral fare i vogël, krahasuar me ndryshimin e ekuilibrave tregtare midis dy vendeve (për pasojë edhe politike, mos harroni Balassa!), për shkak të një “Presidenti” që u bë tra, dhe të një trau që u bë flamur i patriotëve pa atdhe.

Gjithmonë nëse vullneti është uniteti kombëtar, sepse po të ishte e kundërta, po e bëjnë shumë mirë.