Flash News

KRYESORE

Tre kryebashkiakët e “djegur” pas 30 qershorit, problemet që ndeshin qytetarët e Shkodrës, Vorës dhe Durrësit

Tre kryebashkiakët e “djegur” pas 30 qershorit, problemet

Që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, vendoret që u kontestuan nga opozita jashtëparlamentare dhe presidenti i vendit, tre bashki deri tani nuk kanë drejtues zyrtar.

Bëhet fjalë për bashkinë e Shkodrës, pasi Valdrin Pjetri dha dorëheqjen vetëm një javë para betimit të tij, duke mos e marrë detyrën, atë të Vorës, ku Agim Kajmaku u shkarkua nga KQZ, jo vetëm për shkak të dekriminalizimit, por edhe për shkak të veprimeve të dyshuara abuzive të kryetarit të bashkisë dhe së fundmi bashkia e Durrësit, ku Valbona Sako dha dorëheqjen pas gafës pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, kur tha se “jemi të kënaqur me 51 viktima”.

Megjithatë, në tri këto bashki kryesore në vend mungesa e kryetarit sjell problemet e veta në menaxhimin dhe koordinimin  e përgjegjësive për qytetarët.

Agron Haxhimihali, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, shprehet për porta vendore se ndërmjet të zgjedhurit dhe të emëruarit ka diferencë shumë serioze. “I zgjedhuri qëndron pas votës dhe elektoratit dhe si i tillë ka një përgjegjshmëri të madhe, të imponuar nga votuesi. Ndërsa i emëruari qëndron pas emërimit me një përgjegjësi administrative të një institucioni. Bazuar në këtë kontekst dhe parimet e funksionimit  dhe organizimit të institucioneve të bashkive, Kushtetuta i përcakton si organe të pavarura që drejtohen nga kryetari i zgjedhur dhe këshilli i zgjedhur sipas ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Kjo do thotë që në të dyja bashkitë, por përfshirë së fundmi edhe Bashkinë e Durrësit, apo dhe raste të tjera që mund të lindin, nuk mund të themi se jemi në situatë dhe kushte normale. Vetë fakti që këto bashki nuk kanë drejtuesin e zgjedhur nga vetë qytetarët është një problem, sa politik, moral dhe ligjor. Përgjegjshmëria e të zgjedhurit në këto raste mungon, presioni qytetar mungon tek i emëruari, vizioni dhe premtimet nga i zgjedhuri janë një guidë drejt shërbimit më të mirë, ndërsa i emëruari nuk e ka këtë, ndaj zhvillimi i ekonomik social i bashkive do të jetë më i amortizuar”, shpjegon Haxhimihali.

Ndërsa tregon se jeta lokale do të vazhdojë dhe me të emëruar, drejtori ekzekutiv i shoqatës së bashkive, shprehet se mungesa e drejtuesit të zgjedhur cenon vizion e zhvillimit social ekonomik të bashkisë, bën bashkinë me një integritet moral e politik të dobët, dhe të pafuqishme.

Megjithatë, derisa të vendoset një zgjidhje përfundimtare për këto dy bashki, situata mbetet anormale. Kjo nuk është hera e parë që ndodh largimi para kohe i një kryetari bashkie, por në rastet e tjera, kriza nuk ka zgjatur ka shumë dhe nuk ka ndikuar kaq drejtpërdrejt në funksionimin e pushtetit vendor.

Të fundit