Flash News
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Fitim Zekthi
Edi Rama e mbylli fjalimin në protestën e parë “Hap kutitë ose largohu!”, në vjeshtën e vitit 2009, duke thënë “një qeveri mund të mashtrojë një pjesë të popullit për të gjithë kohën, mund të mashtrojë të gjithë popullin për një pjesë të kohës, por kurrë nuk mund të mashtrojë të gjithë popullin për të gjithë kohën”. Veç faktit që bëri një plagjiaturë të shëmtuar, pasi nuk e citoi fare autorin por e shiti si të tijën (kjo është një shprehje e Abraham Lincoln thënë në një debat me rivalin Stephen Douglas), ai duket nuk e ka besuar që kjo vlen për çdo qeveri, në çdo kohë.
Edhe për qeverinë tij tani.
Tashmë kur kanë kaluar 6 vjet nga qenia e tij në qeveri dhe kur varfëria, vendet e punës, shkatërrimi i shpresës, uzurpimi i të gjitha pushteteve nga një dorë, trafiku i drogës dhe lidhjet e njerëzve të kësaj bote me politikën, dhe gjithçka tjetër, duket se kanë pllakosur plotësisht vendin, qeveria e kryeministrit Rama, me gjithë propagandën e rëndë, po vërteton atë që Lincoln ka thënë në vitin 1858 në debat me Douglas-in. Është e qartë se, aktualisht, qeverisë Rama nuk i ka mbetur më asnjë mundësi për të mashtruar të gjithë popullin, madje nuk ka më fuqi të mashtrojë as një pjesë të popullit.
Opozita ka thirrur protesta, është larguar përfundimisht nga Kuvendi duke dorëzuar mandatet. Opozita ka thirrur protesta edhe dy apo tre vjet më parë, madje edhe katër apo pesë vjet më parë, por këtë herë vihet re se është ndryshe. Edhe një protestë e thirrur me urgjencë të martën bëri brenda dy-tri orëve përpara parlamentit të mblidhen mijëra njerëz. Pakënaqësia ndaj qeverisë është e madhe, ajo ka dështuar në gjërat më themelore.
Protestave të njerëzve, qëndrimeve të opozitës, kryeministri po iu përgjigjet me nervozizëm, por edhe duke u përpjekur të duket indiferent. Ai po e akuzon opozitën si në krizë, sikur ajo ka frikë nga reforma në drejtësi, sikur ajo nuk fiton dot. Ai po thotë se ajo po ushtron dhunë, po sulmon institucione, po pengon me dhunë dhe sjelljen e saj integrimin në BE etj. Për t'i fryrë edhe me akuzave budallaqe dhe qesharake për dhunë të opozitës në protesta, ai dhe njerëz të tjerë të PS-së u shprehën se “bëhet fjalë për një tufë të verbrish, që kanë humbur rrugën, që shajnë, thyejnë dhë djegin…”.
Rama iu dërgoi zyrave të OSBE-së në Vjenë dhe atyre të BE-së në Bruksel letra ku thoshte se opozita thirri 10 mijë njerëz dhe sulmoi institucionet për të marrë pushtetin me dhunë.” Për Ramën nuk ka asnjë arsye për protesta. Ai po thotë në takimet estradeske të “bashkëqeverisjes me popullin" se ata kanë bërë shumë dhe vendi është në rrugën e duhur, por ka ende shumë gjëra për t'u bërë. Pra, për Ramën dhe qeverinë, gjithçka ndodh përshkruhet me dy argumenta.
I pari, është se gjërat janë mirë, nuk ka krizë as në ekonomi dhe as në demokraci, dhe nuk ka fare arsye për protesta dhe, i dyti është se protestat janë të dhunshme, në to ka dhunë nga opozita. Sigurisht, këto argumente të Ramës dhe PS-së kanë për sfond akuzat e stërthëna për frikë nga drejtësia dhe për krizë të opozitës.
Në 4 dhjetor të vitit 2009, teksa vazhdonte rituali i protestave ‘hap kutitë ose largohu!”, Rama thoshte: “Tirana pret Krishtlindjet dhe Vitin e Ri nën renë e një krize ekonomike që fryhet përditë mbi kokat e banorëve të kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë. Ne sot protestojmë sepse Tirana dhe e gjithë Shqipëria nuk mund të festojnë. Dyqanet e mbytura në listat e borxheve kanë më pak blerës se asnjëherë në fundviti qëkur s’mbahet mend. Konsumi ka rënë dramatikisht, sepse kriza ka ulur shumë fuqinë blerëse të familjeve shqiptare. Në vend se t’u gëzoheshin festave duke shitur më shumë me çmime më të ulëta, biznesmenët e vegjël të Tiranës e të gjithë Shqipërisë presin në dyqanet bosh janarin e tmerrshëm që i kërcënon me hijen e TVSH-së dhe tatim-fitimit”. Pra, për Ramën, arsye për protestë është edhe pamundësia për të festuar, por vetëm kur protestat i bënte ai. Gjithashtu, ai thotë se ka lista në dyqane, varfëri dhe rënie të konsumit.
Është e kotë të flasim nëse ka apo jo lista në dyqane sot, apo nëse ka apo jo re të zeza krize ekonomike. Sot gjërat kanë shkuar aq larg sa njerëzit po ikin nga sytë këmbët. Nëntori i 2009-ës mund të jetë një botë tjetër krahasur me shkurtin e 2019-ës si për ekonominë, varfërinë por edhe krimin, drogën, zgjedhjet, uzurpimin e institucioneve.
Në nëntor tëe 2009-s rritja ekonomike ishte 7%, Prokuroria e Përgjithshme nuk kontrollohej nga PD, në parlament nuk kishte asnjë njeri të akuzuar për trafik droge apo lidhje me trafikun, asnjë kryetar bashkie nuk vinte nga trafiku, kishte Gjykatë Kushteteuse e cila kishte rrëzuar shumë e shumë vendime të qeverisë dhe parlamentit, nuk kishte laboratorë kokaine dhe ministri i Brendshëm nuk akuzohej për trafik ndërkombëtar droge, vendi kishte pak që ishte anëtarësuar në NATO. Pra, nqs kishte arsye për protestë për të rrëzuar qeverinë atëherë, po sot?
Në lidhje me dhunën që po ushtrohet në protestat e opozitës duhet thënë se nuk do të mbeste njeri pa u fëlliqur plotësisht në Kongresin amerikan, apo në Dhomën e Komuneve të Britanisë, në Asamblenë e Francës apo në Dhomën e Ulët të Italisë, në Bundestag apo në parlamentin grek sikur të thoshte se në një protestë ka dhunë ngaqë u dogj një gomë, ngaqë u gris lecka e një skele, nga që u prish një kërpudhë apo u thyen xhamat e derës së kryeministrisë. Ndërsa që të thonë gazetarët apo analistët në Europë apo Amerikë të Veriut se grisja e leckës së skelës, thyerja e kërpudhës apo djegia e gomës është dhunë, është e pamundur. Po ta bënin nuk do të fëlliqeshin, por do të poshtëroheshin nga gjithë shoqëria publikisht.
Çështja e dhunës, megjithatë, ka edhe një anë tjetër. Sociologu norvegjez, Johan Galtung, një prej autoriteteve botërore në studimin e dhunës, thotë se dhuna është tri llojesh: dhunë strukturore, dhunë kulturore dhe dhunë e drejtpërdrejtë. Ai përshkruan një trekëndësh, në cepat e bazës së të cilit gjenden dhuna strukturore dhe dhuna kulturore dhe në kulmin përballë bazës është dhuna e drejtpërdrejtë. Sipas tij, dhuna e drejtpërdrejtë shkaktohet vetëm prej dhunës strukturore dhe dhunës kulturore. Dhuna kulturore janë qëndrimet dhe bindjet që mësohen që në fëmijëri dhe që e rrethojnë njeriun në jetën e përditshme dhe i formulojnë qasjen ndaj pushtetit dhe domosdoshmërisë së dhunës. Për shembull, tregimi i historive me arritje rekordesh, me triumfe, glorifikim arritjesh. Cilësimi i kulturës së tjetrit e prapambetur, pa vlerë, dëmtuese, shkatërruese etj. Kjo është një gjë që Rama e bën pa u ndalur. Ai thuajse vetëm këtë bën. Ai nuk lë pa fyer as gazetarë dhe as politikanë, as studentë dhe njerëz të thjeshtë në takime. Disa i quan injorantë, disa kazanë, disa alpinë, disa shpellarë, disda zaptues, disa ngelës, disa thuthuqë, disa gagaçë, disa të roitur.
Ndërsa dhuna strukturore ekziston kur grupe, klasa, gjini, etni, shtresa, kategori kanë më pak sesa meritojnë akses te ushqimi, të mirat materiale, pushteti, mundësitë për punë dhe shërbime. Kjo lloj dhune në Shqipëri godet përditë mijëra njerëz. Është e kotë të flasim për ata që nuk e fitojnë dot një punë nga padrejtësia, për ata që nuk mund të dërgojnë në shkollë fëmijët, apo për ata që nuk mund të blejnë ilaçet. Këto dy lloje dhune, thotë Galtung, prodhojnë dhunën e drejtpërdrejtë, që është goditja, rrahja, vrasja, përplasja, djegia etj.
Kështu që, nisur nga dhuna kulturore dhe ajo strukturore që ushtron Rama dhe qeveria e tij ndaj njerëzve të zakonshëm, të cilët janë masivisht në zgrip të mbijetesës dhe të poshtëruar, duhet pritur që kulmi i trekëndëshit në të cilin gjendet dhuna e drejpërdrejtë të shpërthejë. Kësisoj Rama dhe qeveria, por sidomos gazetarët, analistë apo studiuesit, jo vetëm që nuk duan të flasin për dhunë të opozitës, por duhet të lavdërojnë atë që po arrin të mos e lejojë këtë shpërthim që do të ishte shumë i keq për të gjithë.