Flash News

KRYESORE

Tri ditë pa ujë, niveli i fundit i “Balenës Blu” për shqiptarët

Tri ditë pa ujë, niveli i fundit i “Balenës Blu”

Gentian Gaba

Drejtori i Ujësjellësit në qytetin e Sarandës, Sheme Lulo, teksa ishte i ftuar në emision në një televizion lokal, ka befasuar kur ka thënë se, ka lënë, qëllimisht, banorët edhe tri ditë pa ujë, për të kuptuar se sa kërkesë ka. Pas kësaj prove, tha z. Lulo, askush nuk u ankua.

Sigurisht, ky spektakël mjeran i një administruesi të gjësë publike mori dhenë, duke u shndërruar në pak orë në një fenomen i portaleve dhe rrjeteve sociale.

Nuk është e vështirë të gjesh arsye për t’iu zemëruar deklaratave të tilla. Madje mund të ndërtohet edhe një histori e gjatë me personazhe të ngjashme mbi mënyrën sesi personazhe si z. Lulo katapultohen në vende të rëndësishme për jetën e një komuniteti.

Ajo që duket më shumë shqetësuese në këtë rast, është kapadaillëku i këtij drejtori, kur tregon me një vetësiguri të frikshme suksesin e eksperimentit të tij mbi qytetarët e Sarandës.

Ky qëndrim mund të cilësohet si 'delir madhështie', pre e të cilit bie dikush pas ndjesisë së epërsisë mbi jetën e mijra qytetarëve të etur, por të varfër.

Megalomania, ose çrregullimi psikopatologjik që karakterizohet nga mbivlerësimi i vetes, i aftësive, i dijes, i cilësive, është përhapur kohët e fundit. Të kujtojmë se, nën të njëjtin 'qiell mavi' frymon edhe 'lideri lunatik' që Lulon e kishte në listën paraprake për postin e kryetarit të Bashkisë. Në fund e shpërbleu me një “drejtorllëk” nën 'shenjën e ujorit'.

Mesa duket, këtë post Lulua e ka përdorur për 'qëllime shkencore'. Ka bërë një provë për të kontrolluar ose për të vërtetuar diçka të nevojshme për drejtues të tillë: Sa duron, apo sa mbajnë shqiptarët?

Gjithsesi, përtej ilaritetit të përgjithshëm të shkaktuar nga kjo video, eksperimenti u duk disi i padobishëm pasi, sa mban ky popull tashmë është e qartë, dhe jo falë Lulos.  Mjafton të kujtojmë se ky lajm mori dhenë pikërisht në ditën e 27 vjetorit të rënies së shtatores  së Enver Hoxhës. Një burrë që për gjysëm shekulli çoi në limite të reja konceptin e duresës së një populli; duke e thyer shpirtin e tre milion shqiptarëve me një eksperiment social të përmasave  çnjerëzore.

Njëriu që sundoi në mënyrë barbare këto 28 mijë kilometa katrorë, i shndërroi shqiptarët në tre milion skllevër të “Shqipërisë socialiste”. Një utopi e mbajtur në këmbë nga teli me gjemba, bunkerët, ushtarët dhe  sigurimsat; të izoluar dhe plot të burgosur politikë. Megjithatë, në fund të gjithë asaj epopeje, në të cilën shqiptarët u përdorën si kavie për gati pesë dekada, ashtu si qytetarët e Sarandës, nuk u ndien. Rrëzuan një bust, simbol të një regjimi të kolapsuar me kohë por, fatkeqësisht, u kthyen përsëri në kavie për “shkencëtarët e çmendur” si Drejtori i Ujësjellësit dhe shefat e tij.

Quhet kushtëzim klasik; është forma e të mësuarit gjatë së cilës një 'ngacmues' shoqërohet me një 'ngacmues' tjetër që shkakton një reagim të caktuar. Shembulli më i mirë janë qentë e Pavlovit, me një diferencë të vetme, ne nuk sekretojmë pështymë, ne heshtim përballë ngacmimeve të jashtme. Kushtëzimi i kondicionuar, i gatuar në gjysëm shekulli diktaturë dhe 27 vite demokraci hibride, është i tillë saqë na detyron të mos reagojmë përballë autoritetit, qoftë ky i një diktatori komunist, një populisti socialist apo një drejtuesi lokal sadist me emrin Sheme.

Pra, asgjë e re nga ky front.

Heqja e ujit për “lojë” mund të cilësohet si një arritje kolektive në lojën famëkeqe të “Balenës Blu”. Tri ditë pa uji ngjajnë një sifdë e hapur, madje është niveli i fundit i kësaj loje, ai më vdekjeprurësi.

 

 

Të fundit