Flash News

KRYESORE

Tri ditët që çorrën maskën e Ramës

Gentian Gaba

Pesë vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë, por edhe objekt, të një retorike me intensitet të lartë e cila kishte për qëllim përshkrimin e “Shqipërisë që duam”. Në pesë vite kemi parë ndërtimin e një fjalori polarizues, të bazuar në një dikotomi të ashpër, përçarëse, poshtëruese për një shoqëri: Ne dhe Ata.

Ne të punës dhe Ata të gjumit; Ne të sigurisë dhe Ata të krimit; Ne të rritjes ekonomike dhe Ata të stanjacionit; Ne të riciklimit dhe Ata të importit të plehrave; Ne që themi të vërtetën dhe Ata të kazanit; Ne të interesit publik dhe Ata të tepsisë.

Sot, përmbajtja e kësaj retorike mund të quhet përfundimisht e dështuar; e zbarazur nga faktet, aktet, veprimet dhe mosveprimet e drejtuesit të saj. 

Piramida verbale, ose e llafeve që krijojnë kotësina politike, e ndërtuar në pesë vite, u përmbys përfundimisht tri ditët e fundit.

Ashtu siç i ka ndodhur shpesh herë mazhorancës, kronika ekspozoi realitetin e hidhur, çorri maskën që vetë qeveria kishte qëndisur sipas shijeve të veta.

Pesë ngjarje në tri ditë rrëzuan ngrehinën e asaj që u quajt Policia e reformuar nga “Rilindja”, ose “Policia që duam”.

Fati, shpesh herë, është i pamëshirëshm.

Pikërisht në ditën kur kremtohej njëqind e pesë vjetori i Policisë së Shtetit; në momentin kur Kryeministri po mbante një fjalim për këtë përvjetor, duke folur për sukseset e mazhorancës së tij në këtë fushë, një shpërthim hodhi në herë retorikën dhe propagandën e tij.

Një akt terrorist që më shumë do t’i shkonte kronikës që vjen nga Lindja e Mesme, por fatkeqësisht ndodhi në Shkodrën e afërt. Vrik pas atij shpërthimi, kronika na rrëfeu për tri vrasje, një shpërthim me eksploziv dhe një grabitje brenda një institucioni shtetëror në qendër të Tiranës.

Nëse do të shprehej me dy fjalë problemi kryesor që karakterizon mazhorancën në raport me publikun, mund të thuhej: mungesa e kredibilitetit. Ç'kuptohet me kredibilitet të një force politike? Ajo që kuptohet edhe në raportin tonë si qytetarë me një njeri tjetër: mbajtja  premtimeve, e fjalës së dhënë,  përputhshmëria e asaj që thua me atë që bën.

Sigurisht, krimi është diçka e komplikuar dhe më i moçëm se Rama dhe ministrat e tij.

Krimi ka lindur me njeriun; përsëritet e përsëritet në përditshmërinë e shoqërive në një përpjekje të kahershme për të thyer ligjin dhe sigurinë.

Por, kur bëhet mjet për politikën dhe për të bërë politikë, ai që e përdor nuk mund të flasë pa u skuqur dhe pa ndjerë turp për arritjet; sidomos në Shqipëri, sidomos nga kjo mazhorancë (mjafton të kujtojmë mandatet e hequra), sidomos nga ky Kryeministër.

Fasada e policisë ishte zbehur prej kohësh. Qysh prej ditës që “arkitekti” i saj u përfshi në një hetim për bashkëpunim me trafikantët ndërkombëtarë të drogës; kur tre nga drejtuesit e emëruar nga Ministri i Brendshëm 'më i suksesshëm i tranzicionit' nisën t’i fshihen kolegëve të tyre që iu shohin emrat në listën e personave në kërkim; kur në një përvjetor që shënon dhjetë dekada e gjysëm, Institucioni i rendit është nën drejtimin e një personi të komanduar, dhe është gati të provojë hyqmin e drejtorit të tretë në pesë vite. Pa karrierë për policin e thjeshtë,  pa meritokracinë, dhe, sigurisht, pa një rrogë të duhur.

Ku është këtu përputhshmëria e asaj që thua me atë që bën?

Sot gjithçka mbetet për t’u ribërë. Njëqind e pesë vjetori i Policisë përkon me “vitin zero” të policisë së Ramës; për të përdorur fjalorin e tij, por Policinë tonë.

 

Të fundit