Flash News

KRYESORE

Trinomi që po e lufton, Tahiri mban qëndrim për fjalët e Edi Ramës: Nuk më duhet mbështetja e askujt

Trinomi që po e lufton, Tahiri mban qëndrim për fjalët e Edi

“Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa ç'është edhe ati, i biri dhe shpirti i shejntë. Nuk janë ndarë ende dhe unë po i shoh.”

Ky ishte trinomi për të cilin foli sot Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, pak minuta pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda i kishte komunikuar akuzat për “trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “shpërdorim detyre”.

Gazetarët këmbëngulën disa herë të mësonin nga ish-ministri se kujt i referohej me “ati, i biri dhe shpirti i shenjtë” që janë bërë bashkë dhe po e luftojnë, por ai iu shmang përgjigjes: “Mos u përpiqni të gjeni në fjalët e mia mesazhe si ato që keni qejf ju, të koduara. Unë nuk kam asnjë mesazh të koduar, nuk kam asnjë marrëdhënie nëntorkësore me askënd, jam shumë i drejtpërdrejt, dhe nuk kam as kohë dhe as fuqi që të merren me të pavërteta. E vërteta ime është komplet e kundërta e asaj që mendon prokuroria.”

I pyetur nëse po shantazhon ndonjë zyrtar me informacionet që ka mbledhur gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Brendshme, Tahiri tha: “Këtij vendi kaq të vogël i mjafton baba Taku (deputeti Spartak Braho) me çantën e zezë, nuk i duhet edhe Saimir Tahiri.”

Ndërkohë, Tahiri refuzoi mbështetjen publike që i ka dhënë kryeministri Edi Rama, pas mbylljes së hetimeve në Itali, duke theksuar se nuk i duhet aspak kjo mbështetje, por vetëm e vërteta.

“Nuk më duhet fare, nuk më duhet mbështetja e askujt, më duhet vetëm e vërteta ime. Unë do ja dal edhe pa këto, me çdo kosto dhe me çdo çmim”, u shpreh ish-ministri.

Ish-ministri Tahiri akuzohet se ka favorizuar bandën e Habilajve në Vlorë në trafikun e kanabisit drejt Italisë. Atij iu komunikuan sot akuzat dhe brenda pak ditësh pritet të zhvillohet seanca e parë gjyqësore.

Saimir Tahiri aspak entuziast jashtë ‘Krimeve të Rënda’: Mbas Aldo Bares, jam i dyti me këto akuza; procesi është politik

Të fundit