Flash News

KRYESORE

Tronditet besimi te policia e Kosovës, transporti i drogës bëhet me makinat tyre

Tronditet besimi te policia e Kosovës, transporti i drogës bëhet

Për shumë qytetarë të Kosovës i pabesueshëm do cilësohej fakti se droga në vend qarkullon në makinat e Policëve të Kosovës. Policia e Kosovës vlerësohet si institucioni më i besueshëm në vend por brenda vitit zyrtarët e saj janë kapur në dy raste tek transportonin drogë me makina e tyre. Prokuroria e Mitrovicës është duke hetuar një rrjet të policëve të Kosovës të cilët u kapën para disa javësh me 8 kilogramë marihuanë në Mitrovicën Veriore.

KALLXO.com ka siguruar detaje nga dosja e Prokurorisë së Mitrovicës ku përshkruhen veprimet e policëve dhe mënyra se si ata shoqëronin dhe përcillnin dërgesën e drogës në Mitrovicën Veriore.

Në dokumentin e siguruar, i cili mban numrin 68/2017-të, e i hartuar nga prokurorja e krimeve të rënda, Zejnie Kela, përshkruhen veprimet e policit Adnan Gërrxhaliu në përcjelljen e makinës në të cilën qarkullonte sasia e drogës.

Sipas dosjes së prokurores Kelaj me datë 13.07.2017, policët Adnan Gërrxhaliu e Shemsedin Geci së bashku me personin e tretë Valon Malaj ishin koordinuar që ta dërgonin drogën nga Skenderaj për në Mitrovicën e Veriut.

Grupi sipas dosjes së Prokurorisë ishte fotografuar në çdo hap nga hetuesit të cilët po e ndiqnin rastin.

“Grupi ishin takuar para një kafiterie në Skenderaj dhe ishin marrë vesh për detajet e rrugëtimit të dërgesës”, përshkruhet në dosje.

“Një makinë Golf 2 pronë e policit Gërxhaliu do t’i printe kolonës për të hapur rrugë, pas saj do vinte një makinë tjetër ndërsa e fundit do lëvizte makina Golf 4 e drejtuar nga polici Shemsedin Geci”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

E njëjta pretendon se gjatë rrugëtimit grupi u ritakua në Mitrovicë në rrugën “Bislim Bajgora”.

“Nga aty Gërrxhaliu së bashku me një person nga Shqipëria kishin vazhduar në Mitrovicën Veriore”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Shtetasi shqiptar sipas pretendimeve të Prokurorisë kishte telefonuar Valon Malajn dhe i kishte kërkuar të niset për në veri pasi rruga ishte e lirë.

Prokuroria pretendon se e ka vëzhguar deri në detaje lëvizjen e makinës Golf 2 gjatë qarkullimit të saj në pjesën jugore të Mitrovicës.

Policët në fjalë ishin arrestuar gjatë operacioneve të Policisë dhe IPK-së ndërsa të njëjtit mbahen në paraburgim me vendim të Gjykatës së Mitrovicës. Në procesverbalet e Gjykatës shkruhet se ata nuk i kanë pranuar veprimet duke u thirrur në pafajësi. Avokati i Adnan Gërrxhaliut, Jetulla Berisha, i ka thënë KALLXO.com se tashmë kanë deponuar një ankesë në Gjykatën e Apelit për të kundërshtuar masën e paraburgimit ndaj klientit të tij.

Të fundit