Flash News

KRYESORE

Truman Show

Truman Show

Patrik Sadikaj

Kur shikoj apo lexoj lajmet në media ndjej një dashuri të madhe për filmin e famshëm hollivudian "Truman Show". Më duket vetja një protagonist i një mashtrimi të madh.

Pse, do thotë ndonjë adhurues i show-t të gënjeshtërt?! Sepse më ngjan vetja me një Truman që beson se jeta e bukur e ekraneve të televizionit është ajo që jetojmë vertet.

Në filmin e vitit 1998, Trumani (Jim Carrey) jetonte në ekranin e vogël. Kaq e vogël ishte bota e tij. Rrethuar me fasada dhe gënjeshtra. Madje edhe ata që jetonin me të ishin aktorë në role të rreme jete.  Ja ky jam unë, ti, ai, ata! Të gjithë ne. Një individ, një turmë që jeton gënjeshtrën.

Filmi ka një protagonist. Regjisori i Show-t (Ed Harris) është ai që nëpërmjet naivit Truman gozhdon një popull të tërë para ekranit duke shijuar mashtrimin e madh. Trumani nuk jeton, ai beson se jeton duke u mbajtur paa gënjeshtrës që i kanë servirur për të vertetë. Ai është i pafaj. Nuk e di se është thjesht mjeti për të arritur qëllimin.

Fajtorët janë populli që shijon spektaklin, edhe pse e di që është thjesht një show. Ai pranon të gënjehet duke e ditur fort mirë se e vërteta është përtej fasadës.

Madje ai duartroket këtë mashtrim të madh që i serviret nga një regjisor show.

Në fund të filmit, Trumani e gjen të vërtetën dhe shqyen fasadën dhe populli prapë duartroket. I gëzohet kësaj, jo si të vërtetës, por si show-t të radhës që na vret relitetin.

Kështu ndjehem edhe unë. Një popull që çdo ditë sheh në ekran apo lexon në gazeta gënjeshtrën e madhe të Trumanit dhe e jeton për të vërtetë.

Shoh sesi ekonomia e rrënuar po lulëzon dhe duartrokas. Shoh sesi shëndetësia e vdekur po shkëlqen e prapë duartrokas. Shoh krimin si po lartësohet si vlerë e prapë duartrokas. Shoh sesi njerëzit e lumtur po ikin prej varfërisë, e prapë duartrokas.

Shohim sesi demokracia bëhet palaço e prapë duartrokasim. Shohim si drejtësia na vret, ne prapë brohorasim: Rroftë drejtësia!

Fundja, pse mos ta bëjmë?! Fundja ne jetojmë për pak show. I lartësojmë fasadat. E bëmë për 50 vite, pse mos ta bëjmë edhe tani.

Të fundit