Trump: 23 nga 28 vende të NATO-s nuk kanë paguar detyrimet, të rriten shpenzimet ushtarake

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka kërkuar që vendet antare të NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake për të mbërritur në normën e kërkuar prej 2%-shit të GDP-së, duke u shprehur se kjo tregon seriozitetin e aleatëve në luftën kundër sfidave të përbashkët siç është terrorizmi, rreziku i Rusisë, etj.

Lideri i Uashingtonit u shpreh se 23 nga 28 vende anëtare janë ende larg këtij objektivi.
Sipas Trump, kjo është diçka e padrejtë dhe rëndon mbi mbi taksapaguesit amerikanë.

Trump: “Duhet të tregohemi të ashpër, të fortë dhe vigjilentë në luftën kundër ekstremizmit. NATO e së ardhmes duhet të përfshijë një fokusim të madh ndaj terrorizmit dhe emigracionit, sikurse ndaj rreziqeve të Rusisë në kufijtë tanë lindorë dhe jugorë. Këto shqetësime dhe shumë të tjera, përbëjnë edhe arsyen se pse unë kam qenë shumë i drejtpërdrejtë me Sekretarin Stoltenberg dhe anëtarët e Aleancës, ku jam shprehur se aleatët e NATO-s duhet të kontribuojnë me pjesën që u takon për shpenzimet si dhe duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare. Megjithatë, 23 nga 28 vende anëtare nuk i kanë paguar ende ato që duhet t’i paguajnë për mbrojtjen e tyre. Kjo nuk është e drejtë për qytetarët dhe për taksapaguesit në Shtetet e Bashkuara. Shumë nga vendet antare kanë borxhe të mëdha nga vitet e shkuara.”

Presidenti i ShBA theksoi se qeveria amerikane ka shpenzuar në tetë vitet e fundit, po aq sa kanë shpenzuar të gjitha vendet e tjera anëtare të marra së bashku.

Lideri i Uashingtonit më tej u shpreh se nëse objektivi 2% do të ishte respektuar nga të gjithë, sot NATO do të kishte 199 miliardë euro më shumë për t’i shpenzuar në sistemin e mbrojtjes kolektive.