Turqia kthen në xhami muzeun e “Aya Sofias”, kryepeshkopi Janullatos: Tragjike! Veprimi minon shpresën bashkekzistencë të feve

Kryepeshkopi Anastas Janullatos e cilëson tragjik vendimin e Turqisë për të kthyer në xhami muzeun e “Aya Sofias”, dikur kisha e Shën Sofisë.

Sipas kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë ky veprim na kthen pas në anë të errëta të historisë, duke minuar kështu shpresën e madhe për një bashkekzistencë të feve dhe qytetërimeve.

“Ky vendim bën pjesë në ato veprime tragjike, të cilat minojnë shpresën më të madhe të epokës sonë, që është bashkekzistenca e  feve dhe qytetërimeve.

Ky vendim na kthen pas, në aspekte të errëta të historisë. Një vend si Turqia, që dëshiron të jetë pararojë, zgjedh rolin e praparojës së vonuar kulturore.
Është mëkat edhe gabim kur vaji i fesë përdoret për të ndezur dhe për t’i shërbyer qëllimeve nacionaliste. Qëllimi fisnik i fesë është të qetësojë plagët dhe të paqësojë shpirtrat e njerëzve”, deklaron Janullatos.