U ankimua nga Komisioneri Publik, KPA shkarkon Besnik Canin, anëtarin e KLP-së

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar sot nga detyra prokurorin Besnik Cani, njëherësh anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Shkak për këtë vendim ishte ankimimi i ONM dhe Komisionerit Publik pasi Cani kaloi vettingun në 27 nëntor 2018 nga trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici, Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi.

Dy javë më pas, Cani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Për faktin se Cani rezultoi se kishte probleme me pasurinë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) dhe Komisioneri Publik e ankimuan vendimin në KPA.

“Komisioneri Publik, pas verifikimit të situatës faktike, analizës dhe vlerësimit të provave dhe akteve të dala nga hetimi administrativ i Komisionit, në konsideratë edhe të rekomandimit të ONM-së, çmon se vendimi nr. 84/2018 është i cenueshëm në tërësinë e tij, si dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u shqyrtuar nga juridiksioni rivlerësues i Kolegjit të Apelimit. Komisioneri Publik, duke u qëndruar të gjitha shkaqeve të parashtruara në ankim, vëren se për rastin objekt gjykimi, megjithëse kanë rezultuar rrethana dhe fakte të provuara se subjekti: (i) për kriterin e pasurisë, nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme dhe shpjegime bindëse për të kundërtën e barrës së provës, lidhur me deklarimet e pasakta dhe të pamjaftueshme ndër vite të pasurisë, duke rezultuar dhe me mungesë të burimeve të ligjshme financiare për të përballuar njëkohësisht investimet, kursimet e deklaruara dhe shpenzimet e kryera ndër vite; (ii) për kriterin e aftësive profesionale, kanë rezultuar fakte e rrethana të cilat janë në papajtueshmëri dhe cenojnë etikën dhe figurën e magjistratit, mangësi të përsëritura dhe modele të papërshtatshme pune”, shkruante Komisioneri Publik.

Në kushte të tilla, pas verifikimeve, Cani shkarkohet për mosdeklarim të saktë të pasurie, duke e lënë KLP-në me 11 anëtarë.