U arrestua pasi hapi zjarr ndaj RENEA-s, Xhevair Jonuzi renditej në listën e policisë si një nga 8 më të rrezikshmit e Vlorës

Policia e Vlorës ka njoftuar se sot ka arrestuar Xhevair Jonuzin, i cilësuar si një person i shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Gjatë operacionit për arrestimin e tij, 47-vjeçari shfaqi rezistencë dhe gjatë tentativës për t’i ikur policisë dhe forcave speciale RENEA, vlonjati ka hapur zjarr ndaj tyre, por mbeti vetë i plagosur në këmbë.

“Forcat speciale Renea, në bashkëpunim me DVP Vlorë, mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:05 kanë kanë bërë rrethimin e banesës së shtetasit Xhevahir Jonuzi, 47 vjeç, banues në fshatin Hoshtimë. Gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë, Jonuzi ka parë forcat e Policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë.

Renea i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por shtetasi Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre.

Në proporcion të drejtë me zjarrin e personit, Forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë”, sqaron policia në njoftimin zyrtar, ndërsa vlonjati aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Xhevahir Jonuzi nuk është emër i panjohur pasi në nëntor 2018 ai renditej në listën e policisë si një nga 8 më të rrezikshmit e Vlorës,

Veç Jonuzit, në listë renditej Sokrat Ruda, Gëzim Memeti, Apostol Bucaj, Dritan Rexhepi, Gazmend Nebiu, Nexhip Rexho dhe Pali Gjergji.

“Ja 8 personat në kërkim me rrezikshmëri shumë të lartë, në qarkun Vlorë, të dënuar me burgim të përjetshëm, dhe me 25 vjet burg. Policia e Shtetit fton cilindo që ka djeni mbi vendndodhjen e tyre të telefonojë Policinë në numrin pa pagesë 112, duke ju garantuar anonimatin. Ndihmo dhe ti në sigurinë publike”, thuhej në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, Jonuzi është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me 25 vite burg për “Vrasje me paramendim”.

Po ndaj këtij shtetasi, në vitin 2018, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.