Flash News

KRYESORE

U denoncua nga PD, jep dorëheqjen drejtori i INSTAT

U denoncua nga PD, jep dorëheqjen drejtori i INSTAT

Vetëm pak orë pas denoncimit të bërë nga Partia Demokratike, Erion Manohasa ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të Drejtorisë së Integrimit dhe Projekteve në Institutin e Statistikave.

“Është e vërtetë se Z.Erion Manohasa ka pasur një çështje gjyqësore, por çështja është pushuar dhe ai është punësuar sipas ligjit nga lista e pritjes së nëpunësve civilë.

Duke u nisur, sidoqoftë nga domosdoshmëria për të mos lënë asnjë hije në integritetin absolut të INSTAT, si një institucion i një rëndësie të veçantë, Z. Erion Manohasa i është kërkuar menjëherë dorëheqja, dhe ai e ka dhënë atë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga INSTAT.

Ditën e sotme, zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa denoncoi emërimin e Manohasës në krye të Drejtorisë së Integrimit dhe Projekteve në Institutin e Statistikave. “Për këdo që nuk  e njeh, Erjon Manohasa ka qenë, deri para pak kohësh, Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, që menaxhon interesat multimilionere të shëndetësisë. Por drejtori i tepsisë së pushtetit, përfaqësues i PDIU-së, u shkarkua nga detyra me vendim gjykate “për shpërdorim detyre”, sepse dyshohej se firmosi një kontratë korruptive për një laborator hemodialize ne Durrës, që nuk plotësonte asnjë kusht për këtë shërbim jetësor për të sëmurët”, ishte denoncimi i PD-së ndaj Manohasës.

Të fundit