U dërgua për hetim në SPAK, Prokuroria e posaçme ‘i kthen’ Dibrës dosjen ‘184’

SPAK ka ridërguar përsëri në Dibër ‘dosjen 184’. News 24 raporton se SPAK nuk ka marrë përsipër që të hetojë dosjen ku dyshohet për krime zgjedhore në zgjedhjet lokale të 2016 në Dibër.

Më 22 janar Prokuroria e Dibrës shpalli moskompetencë për dosjen, e sot  SPAK bën të njëjtën gjë gjithashtu. Ndërsa më 27 janar SPAK vendosi të shpallë mokompetencë duke ia rikthyer dosjen Gjykatës në Dibër.

Në korrik të vitit 2019 Krimet e Rënda shpallën moskompetencë pas 2 vitesh nga dosja, pas përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane BilD.

Drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës, Enkeleda Cami Keshi refuzoi të mbajë dosjen në Prokurorinë e Dibrës. Pas një debati mes dy prokurorive, ish- prokurorja e përgjithshme Arta Marku e dërgoi përfundimisht Prokurorisë së Dibrës.

Nga ana e saj PD e akuzoi Markun se po ‘varroste’ dosjen, ndërsa dhe sekretari i përgjithshëm i PD Gazment Bardhi kërkoi informacion zyrtar në Prokurorinë e Dibrës për dosjen 184 dhe transferimin e e saj tek SPAK.

Çfarë është ‘dosja 184’?

Dosja 184 janë hetimet e Prokurorisë lidhur me pretendimet për shitblerje votash nga mazhoranca gjatë zgjedhjeve lokale  në 2016 Dibër, kur fitues doli Muharrem Rama i PS përballë Sherefedin Shehut të PD.

Në vitin 2019 media gjermane Bild publikoi përgjimet gjatë fushatës dhe gjatë zgjedhjeve lokale në Dibër të 2016.

Bisedat ishin të kryeministrit Rama, ish- ministrave Damian Gjiknuri dhe Saimir Tahiri, Ulsi Manjës apo Pjerin Ndreut me përfaqësues të PS në Dibër Arben Keshin, Ymer Lalën, biznesmenin Bekim Krashi, drejtorin e Arsimit në Dibër Drini Gjeçi, mësuesin Lavdrim Murati, drejtorin e shkollës së Reçit, Reshat Elezin, shefin e komisariatit nr. 5 në Kamëz Sali Skura, dhe ish- deputetin e PS Artan Gaçin.

Për rikthimin e dosjes në Dibër reagoi sot PD përmes sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi.

Në një deklaratë për mediat, Bardhi e quajti drejtuesin e SPAK, Arben Kraja hetues të komunizmit, duke nënvizuar se hetimi i dosjeve ku janë përfshirë zyrtarë të lartë, siç është kryeministri Rama dhe disa deputetë të PS është detyrë ekskluzive e SPAK-ut.