U dhunua nga policia, Sahit Dollapi ka nxjerrje të shpatullës, mjekët: S’ndërhyjmë dot, pacienti vuan nga zemra

Sahit Dollapi, sekretari Organizativ i PD është aktualisht i shtruar në Spitalin e Traumës.

Pasi u arrestua me dhunë nga policia, ai u dërgua mbrëmë vonë nga komisariati me ambulancë në spital, për shkak të plagëve që i ishin shkaktuar nga efektivët, të cilët e dhunuan me shkop gome gjatë momentit të arrestimit.

Ndonëse aktualisht është lënë i lirë, ai vijon të qëndrojë në spital nën kujdesin e e mjekëve. Gazetari Erion Skëndaj në ‘news24’ sqaroi këtë mëngjes se veç Dollapit, në spital nuk ka asnjë të lënduar tjetër nga protesta, pasi ata kanë marrë mjekimin e nevojshëm që mbrëmë dhe më pas janë larguar.

Një tjetër detaj të rëndësishëm që theksoi gazetari ishte fakti se Dollapi ka pësuar nxjerrje të njërës shpatull nga vendi dhe po mbahet nën mbikëqyrje nga mjekët. Këta të fundit kanë theksuar se nuk mund të kryejnë asnjë ndërhyrje për të çuar në vend shpatullën e dalë vendit, për shkak se Dollapi është pacient që vuan nga zemra. Sipas mjekëve, sekretari i PD më herët ka kryer tri ndërhyrje në zemër.

Për këtë arsye, Dollapi po mbahet nën survejim, ndërsa një tjetër plagë e shkaktuar është në njërin gju, por pa pasoja serioze.