U infektua me Covid-19, ndërron jetë artisti i njohur; kush është Arben Bajo, skulptori që realizoi bustin e Vaçe Zelës

Covid-19 i merr jetën skulptorit të njohur, Arben Bajo.

Artisti ishte shtruar në spitalin Infektiv në gjendje të rëndë dhe i intubuar për shkak të Covid-19. Miqtë e tij kanë konfirmuar përmes rrjeteve sociale ditën e sotme ndarjen e parakohshme nga jeta të Bajos, për shkak të përkeqësimit të situatës së tij shëndetësore.

Një ditë më parë, kolegët e tij artistë apeluan përmes rrjeteve sociale që të dhuronin gjak të grupit A negativ të një personi që e kishte kaluar më parë infeksionin e Covid-19, por fatkeqësisht skultori Bajo nuk ia doli dot.

Kush është Arben Bajo?

Arben Bajo është skulptori i njohur që riktheu Vaçe Zelën në vendlindjen e saj në qytetin e Lushnjes.

Artisti i njohur ka lindur në vitin 1967 në Gjirokastër, liceun e kreu në Fier dhe studioi skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë, (1988-1992). Bajo ka hapur shumë ekspozita personale në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Ai krijoi bustin e Vaçe Zelën të ulur në një stol, ndërsa në dorë mbante kitaren e saj.

Bajo ka krijuar skulptura të bukura të personaliteteve të tjera të panumërta shqiptare si At Zef Pllumi në Shëngjin, Asim Zeneli në Gjirokastër dhe Lef Noci në Elbasan dhe shumë të tjera.

Bajo ishte i famshëm edhe për stilin e tij bashkëkohor. Ai numëron gjithsej nëntë ekspozita personale dhe dhjetëra bashkëpunime të tjera. Ajo që bie në sy menjëherë në veprat e tij është përqendrimi i tij në aspektin njerëzor, i përcjellur bukur në të dy anët e tij të prekshme dhe elastike.

Skulptori ka jetuar për afro 14 vjet në Greqi.

Bajo në Greqi bashkëpunoi me muze të ndryshme, për 6 vite ka dhënë edhe mësim në një shkollë private, derisa në 2008-ën u kthye përfundimisht në Shqipëri.