U kthye të jepte kontribut vullnetarisht, infektohet me COVID-19 mjeku Dhimitër Kraja. Shtrohet tek Infektivi

Doktor Dhimitër Kraja, që u rikthyer për të shërbyer vullnetarisht në Spitalin Infektiv për pacientët e prekur nga koronavirusi, ka rezultuar pozitiv me këtë sëmundje. Lajmin e dha në emisionin “Open” mjeku Pëllumb Pipero, i cili deklaroi gjithashtu se doktor Dhimitri është shtruar në spital.

“Drejtues spitali nuk ka sepse drejtuese është profesoreshë Najada. Por është shtruar profesor Dhimitri (Dhimitër Kraja) që ka qenë shef i spitalit. Profesor Dhimitri u rikthye në detyrë pasi kishte dalë në pension. Mesa di është shtruar dje dhe ka shenja të lehta”,- tha Pipero.

Dhimitër Kraja u kthye të jepte kontribut vullnetarisht në Spitalin Infektiv pasi kishte dalë në pension. Ai ishte nga të parët që i`u përgjigj thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë për të ndihmuar stafin mjekësor për kurimin e pacientëve të infektuar nga COVID-19.