Flash News
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
U nis për 'peshkaqenët', ra vetë në rrjetë: Lidhja Gruevski-Orban-Salvini pas turpërimit të heroinës së anti-korrupsionit, Katica Janeva
Filip Lukiç/ European Western Balkans
Ylli i ri i realiti- shout maqedonas “Zhvatja” është Kryeprokurorja Speciale, Katica Janeva. Me duar të lidhura, e akuzuar se ka abuzuar me autoritetin dhe se ka përfituar të mira materiale në mënyrë të paligjshme si për veten ashtu edhe për dy “partnerë” të tjerë, ajo u burgos për 1 muaj në një burg në Shkup.
Një “kamxhik” për elitën e korruptuar, një luftëtare nga një qytet i vogël dhe një ikonë e revolucionit “Shumëngjyrësh”, siç media e kishte portretizuar, Katica Janeva udhëhoqi Zyrën e Prokurorisë Speciale, e cila u ngrit në 2016-ën, si rezultat i një marrëveshjeje mes autoriteteve shtetërore dhe opozitës për të zgjidhur krizën politike në Maqedoninë e Veriut.
Atëherë, lideri i opozitës, Zoran Zaev, publikoi regjistrime të bisedave të ashtuquajtura “Bomba” të liderit të partisë qeverisëse, VMRO-DPMNE, që dëshmoi për aktivitetet e tyre joligjore. Protesta anembanë vendit u shkaktuan, duke çuar në rënien e regjimit të Nikolla Gruevskit me ndërhyrjen e BE-së.
Katër vite më vonë, një “bombë” nga krahu tjetër shkund qeverinë e Zoran Zaevit. Çështja “Zhvatja” nisi më 15 korrik, kur Bojan Jovanovski, i njohur gjithashtu si Boki 13, pronari i televizionit maqedonas 1TV dhe ish yll i realiti- shout, bashkë me Zoran Milevski-n bashkëpunëtor, u arrestuan se dyshohen për zhvatjen e Jordan Kamchev-it.
Referuar listës së revistës “Forbes”, Kamchev-i është njeriu më i pasur në Maqedoninë e Veriut. Vetë Kamchev-i dyshohet si i përfshirë në një tjetër rast, që po hetohet nga Prokurorja Speciale Janeva, dhe Jovanovski, nisur nga marrëdhënia e tij e afërt me Katica Janeva-n, i kërkoi 5 milionë euro Kamchev-it, që t’i mundësonte atij një hetim “të butë” nga Zyra e Prokurorisë Speciale, ose shmangien e dënimit.
Skandali doli në dritë pasi gazeta italiane “La Verita”, e afërt me partinë e Mateo Salvini-t, publikoi një video që tregoi Jovanovski-n dhe Milevski-n, duke dalë nga shtëpia e Kamchev-it dhe duke mbajtur 1.5 milionë euro në një çantë “Louis Vuitton”.
Përgjigja e pyetjes se përse gazeta italiane merret me çështje të Maqedonisë së Veriut mund të gjendet në Hungari dhe te kryeministri i saj, Viktor Orban.
Më specifikisht, pasi një kallëzim u bë kundër Nikola Gruevskit në Maqedoninë e Veriut, ai udhëtoi drejt Hungarisë, ku përfitoi azil politik. Duke qenë se kryeministri hungarez ka marrëdhënie shumë të afërta me Salvini-n, të cilin së fundmi ai e quajti si “figurën më të rëndësishme në Europë” dhe një aleat për mbrojtjen e Kristianizmit dhe luftën ndaj emigracionit. Është e dukshme që Grueski nëpërmjet Orban-it, ka për qëllim të shkundë qeverinë e Zaev-it dhe të shkaktojë zgjedhje të parakohshme, duke publikuar materialin komprometues, në këtë mënyrë duke i krijuar një mundësi partisë VMRO-DMNE, që të rimarrë pushtetin.
Gazetari Loris Geizer, i cili publikoi artikullin, tha se ai ka marrë informacion nga zyrtarë të shqetësuar në administratën maqedonase”.
“Çdo gjë do të jetë në rregull”
Përveç regjistrimeve të Jovanovski-t dhe Milevski-t, biseda mes Prokurores Speciale Janeva dhe Kamchev-it gjithashtu u bë publike. Në këto regjistrime, zëri i Janeva-s mund të dëgjohet, duke i thënë Kamchev-it që të mos shqetësohej dhe se gjithçka do të bëhej mirë.
Gjithsesi, pak para se regjistrimet të bëheshin publike, Prokurorja Speciale në një konferencë për shtyp dha dorëheqjen, duke argumentuar se autoritetet dhe opozita nuk mundën të binin dakord për statusin e Zyrës së Prokurorisë Speciale, afati pesë vjeçar i të cilës përfundoi më qershor të 2019-ës.
Ajo i shpjegoi regjistrimet si një përpjekje për të bindur Kamchev-in, që të pranojë statusin e dëshmitarit të mbrojtur dhe të asistojë hetimin.
“Jam e shokuar që veprimet e mia si prokurore lidhen me çështjen “Zhvatja”. Si Prokurore Speciale është përgjegjësia ime që të kontaktoj me të gjithë të dyshuarit, e po ashtu edhe me persona të tjerë të lidhur me procedimet kriminale në Zyrën e Prokurorit dhe të përpiqem që të nxjerr sa më shumë informacion që të jetë e mundur, në mënyrë që të përmirësoj pozicionin në kontekstin e të dyshuarve për secilin hetim ose rastin individualisht”, deklaroi Janeva në dëshminë e saj të shkruar.
Ajo që Janeva nuk shpjegoi, e po ashtu dhe Prokuroria dhe kryeprokurori Ljubomir Joveski pretendon se ka një dëshmi, është nëse pajisjet shtëpiake me vlerë 5 mijë euro që ajo i mori nga një nga të dyshuarit, janë gjithashtu pjesë e strategjisë së “nxjerrjes së informacionit” dhe për t’i bërë të dyshuarit që të asistojnë në hetim.
Prokurori pretendon se Janeva përfitoi edhe më shumë të mira materiale në mënyrë të paligjshme dhe se Kamchev nuk qe i vetmi që ishte bërë viktimë e shantazhit të dyshes Jovanovski – Milevski. Bashkëpunonjësit e saj, veçanërisht prokurorja Lila Stefanova, pretendoi se Janeva kishte marrë shumë vendime së fundmi pa u konsultuar me pjesën tjetër të grupit dhe se “i kishte zgjidhur gjërat vetë”.
Një nga gjërat që Janeva bëri pa konsultim, ishte vendimi për t’ia kthyer pasaportën Kamchev-it, që i dha mundësinë atij që të udhëtonte jashtë.
Kryeministri nervoz dhe “mega” afera
Presioni mbi kryeministrin Zaev u rrit ditë pas dite, sidomos pasi u lajmërua se në një nga bisedat e regjistruara të bëra publike, Jovanovski tha se “Zaev e sigurt që nuk do të shkaktonte probleme”.
Në reagimin e tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut u shpreh se ai kurrë nuk e kishte takuar Jovanovski-n, por se Kamchev-i i kërkoi atij ndihmë dhe raportoi zhvatjen.
Në vazhdim, Zaev-i ia raportoi çështjen prokurorisë, që ishte edhe fillimi i një afere disa mujorëshe, që jo vetëm vuri në dyshim legjitimitetin e të gjitha çështjeve dhe proceseve që Prokuroria Speciale e drejtuar nga Janeva ka ndjekur, por gjithashtu çoi në destabilitet të përgjithshëm në vend dhe shkatërroi besimin e rivënë me mund te qytetarët për institucionet.
“Zhvatja e parave është një aferë e madhe kriminale që trondit themelet e institucioneve të rëndësishme të shtetit dhe vë në pikëpyetje besimin e qytetarëve te ne politikanët dhe te shteti”, tha presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Ndryshe nga presidenti, i cili reagoi në mënyrë paka të moderuar, duke kërkuar për të gjithë çështjen që të shqyrtohet tërësisht dhe të gjithë punonjësit e prokurorisë të kalojnë nën lupë, kryeministri Zaev ishte shumë më shumë nervoz.
Për ditë me radhë, u bë një debat publik rreth asaj nëse vetë Zaev duhet të jepte dorëheqjen dhe të mbante përgjegjësinë politike për skandalin në institucionin që ishte një nga simbolet e rithemelimit të sundimit të ligjit, pas mbretërimit të Nikola Gruevski-t.
I pyetur nga gazetarët, atëherë Zaev tha se ai nuk “do të lejonte disa kriminelë, një gazetar të padobishëm dhe duke i kërkuar falje komunitetin LGBT, një homoseksual të largonte qeverinë e tij nga pushteti. Jo”.
Pasi i kërkoi falje komunitetit LGBT, Zaev ripërsëriti se qeveria e tij ka implementuar reforma të mjaftueshme dhe anëtarësimi në NATO dhe hapja e negociata me BE-në ishin shumë më të rëndësishme se sa zgjedhjet e parakohshme.
Çfarë mund të tregojë më tej përgjegjësinë politike të LSDM-së drejtuese referuar medies maqedonase, është lidhja e disa ministrave të qeverisë dhe deputetëve me organizatën e shoqërisë civile “Aleanca Ndërkombëtare” të menaxhuar nga Bojan Jovanovski.
Gjithsesi, Prokurori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, në deklaratën e tij për rastin ishte i qartë dhe tha se çështja nuk ka pse të lidhet me politikën dhe kjo për momentin ishte thjesht rreth abuzimit të autoritetit nga Katica Janeva.
“Dëshmia e siguruar deri tani konfirmon se ky është vetëm një rast kriminal që nuk duhet të politizohet ose të lidhet me persona nga shtete të tjera. Unë theksoj se nuk ka asnjë tregues që fondet e paligjshme përfunduan në duart e politikanëve vendas apo të huaj”, tha Joveski (08/21/2019.)
Më i drejtpërdrejtë se prokurori i përgjithshëm ishte presidenti i Maqedonisë së Veriut.
“Unë pres ngritjen e akuzave ndaj kujtdo të përfshirë, pavarësisht rolit ë tyre politik. Unë këmbëngul në përgjegjësinë e të gjithë politikanëve, nëse ata janë në pushtet apo në opozitë”, tha Stevo Pendarovski.
E ardhmja e Zyrës së Prokurorisë Speciale
Kjo aferë jo vetëm që shkatërroi iluzionin e maqedonasve rreth simbolit të një revolucioni shumëngjyrësh dhe luftëtarit të palodhshëm kundër krimit dhe korrupsionit, duke u përpjekur të bashkojnë vendin në rrugën drejt BE-së, por gjithashtu vuri në pikëpyetje të ardhmen e Zyrës së Prokurorisë Speciale si një institucion. Ministri i Jashtëm Nikola Dimitrov thotë se, pas kësaj afere, ngelet një shije e hidhur në gojën gjithkujt.
“Ajo çfarë është realisht e rëndësishme është se sistemi reagoi. Një person nuk mund të jetë një arsye për një komb që të heqë dorë dhe ne duhet që të vazhdojmë në rrugëtimin në sundimin ligjit”, tha Dimitrov.
Gjithsesi, partia opozitare VMRO-DPMNE, e konsideron Zyrën e Prokurorisë Speciale si një zgjatim i Social Demokratëve dhe një instrument i Perëndimit, që bëri që partia dhe ish lideri i tyre Nikola Gruevski të humbnin zgjedhjet dhe e shikon këtë aferë si një mundësi për të shkundur sistemin.
Më specifikisht, partia opozitare VMRO-DMNE lajmëroi se nuk do të mbështesë propozimin “Akti i Zyrës së Prokurorisë Speciale”, që rregullon statusin e këtij institucioni dhe operimin e mëtejshëm, që është edhe një nga kushtet për hapjen e negociatave me BE-në në vjeshtën e 2019-ës.
Kur u themelua në 2015-ën, Zyrës së Prokurorisë Speciale, iu dha një mandat pesë vjeçar për të ekzaminuar të gjitha akuzat, që nga bisedat e regjistruara (të ashtuquajturat Bomba) të publikuara nga lideri i opozitës së atëhershme, Zaev.
“Bombat” vunë në pah veprimet kriminale të anëtarëve të partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, kryeministrit Nikola Gruevski dhe ish shefit të policisë sekrete, Sasha Mialkov.
Kjo është arsyeja se përse VMRO-DMNE dëshiron që të bëjë çfarëdo që të jetë e mundur që të reduktojë impaktin e Zyrës së Prokurorisë Speciale dhe ta bëjë çështjen të harrohet. Autoritetet, nga ana tjetër, duan që aferat e periudhës “Gruevski”, të gjejnë fundin e tyre, por skandali “Zhvatja” hedh një hije mbi punën e të gjithë Prokurorisë.
Propozimi i partisë në pushtet, Social Demokratike, është që të integrohet Zyra e Prokurorisë Speciale në Zyrën e Prokurorisë Publike ekzistuese dhe të vazhdojë që të operoje me emrin “Zyra e Prokurorisë Publike për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Nivele të Larta”
Kjo do të thotë që edhe të gjithë gjyqtarët, të cilët po gjykojnë çështje të hapura, të qëndrojnë në Zyrën e re të Prokurorisë.
Ndryshe nga partia në pushtet, opozita e mendon Prokurorinë Speciale si një departament brenda Zyrës së Prokurorisë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin dhe kërkon që gjyqtarët të kthehen në zyrat e tyre të mëparshme të prokurorisë, bazuar në përmbajtjen e çështjes.
Ndoshta kjo do të thotë më shumë shtyrje në proces dhe në të ardhmen, me shumë mundësi harrimin e tyre. Ligji i ri që duhet të ripërcaktojë statusin e Prokurorisë Speciale është duke u proceduar në parlament dhe votimi pritet që të bëhet në mes të shtatorit.
Kalimi i ligjit, referuar zyrtarëve evropiane, është një nga kushtet për Maqedoninë e Veriut që të hapë negociatat me BE-në në tetor.
*Nikola Cuckić kontribuoi në këtë artikull
**Ky artikull u publikua si pjesë e projektit “Civil society for good governance and anti-corruption in southeast Europe: Capacity building for monitoring, advocacy and awareness raising (SELDI)” financuar nga Bashkimi Europian.
***Përktheu për Politiko.al: Irgis Hysenaj