U plagos në nofull në atentatin ndaj prokurorit Ndoj, Aleksandër Laho lë spitalin pas 18 ditësh

Aleksandër Laho, i cili mbeti i plagosur në atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoj ka lënë spitalin dhe është dërguar në shtëpi pas 18 ditësh.

Kujtojmë se Laho mori një plumb në nofull gjë që e pengoi të jepte dëshminë para policisë.

I njohur ndryshe me nofkën ‘Rrumi’, emri i Lahos është i njohur për botën e krimit, pas akuzave për rrahjen e biznesmenit libanez Fadi Mitri.

Kujtojmë se atentati ndaj Prokurorit Arjan Ndoj ndodhi pasditen e 1 nëntorit, rreth orës 16:13, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit.

Persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri nga mjeti i tyre në drejtim të automjetit ku po udhëtonte prokurori Ndoj.

Si pasojë u plagos shoferi i tij  Andi Maloku 24 vjeç, i cili më pas ndërroi jetë dhe Aleksandër Laho 46 vjeç.