Flash News

KRYESORE

U qëllua për vdekje nga policia e Fierit, identifikohet grabitësi 20-vjeçar

U qëllua për vdekje nga policia e Fierit, identifikohet grabitësi

Pak orë pas ngjarjes së rëndë ku 4 persona të maskuar dhe të armatosur ndeshën në rezistencën e policisë, gjatë një tentative grabitje në lagjen “29 nëntori” në Fier, është bërë e mundur identifikimi i autorit që mbeti i vrarë nga shkëmbimi me armë zjarri.

Viktima është identifikuar si Xhuljan Sollaku 20 vjeç, nga Katund i Ri në Elbasan. Ai mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit që pati bashkë me 3 autorët e tjerë të maskuar me forcat e policisë, rreth orës 03.00 pas mesnatës së sotme në banesën e Munella Muçës. Mësohet se Sollaku ka qëlluar drejt policisë me dy pistoleta të ndryshme.

Po ashtu, gjatë këtij aksioni mbeti i plagosur një tjetër autor, Arben Muça 37 vjeç, banues në Ndroq të Tiranës. Ai ishte i pari që hapi zjarr ndaj policisë, ndërsa qëndronte në hyrje të pallatit me kallash. Dy autorët e tjerë, duke përfituar nga errësira kanë mundur të largohen dhe ende nuk janë identifikuar.

Policia ka ngritur pika kontrolli për arrestimin e tyre, si dhe ka sekuestruar pamjet e sigurisë të bizneseve aty pranë.

Ndërkohë, autorët kishin planifikuar të kryenin disa grabitje në pallat, por në banesën e Munella Muçës nuk kishin mundur të hapnin derën menjëherë. I zoti i shtëpisë e ka kuptuar se dikush po tenton të hyjë me forcë dhe ka njoftuar menjëherë policinë, e cila nuk ka vonuar dhe ka ndërhyrë menjëherë për ndalimin e autorëve.

Të fundit