Flash News

OP-ED

U shty apo u rrëzu?

U shty apo u rrëzu?

Zef Zefi

(Farsë mbi një farsë)

Sipas barinjve të kahershëm, por dhe të tufëzave të Partisë së Ruçit, kur "binte uku nër' berre"- (ujku sulmonte tufën,) qenve që kishin detyrën alarmit, ndodhte t'u qepej goja.

Çobania e kohës për këtë dukuri të përsëritur, në mënyrë ma shumë bestyte sesa religjioze, ndoshta të dyja bashkë, kishin shprehjen se ua lidhte gojën i sh'Mërteni.

Dialekti, më saktë e folmja e Mirditës, dhe njohuritë e mija në gjuhësi nuk më ndihmojnë shumë se për cilin shenjt bëhet fjalë. Mundet ndonjë mbishtresim i ndonjë zoti pagan. Po gjasat jané shën Mit(ë)ri.

Nuk e di gjithashtu, as nuk kam lexu se çfarë ndodh në psikën e këtyre kafshëve-rojtëse, gjithësesi paniku e ka pjesën e vet në këtë marra-gojë.

Po në kontekstin social shprehja frazeologjike "ia ka mbyll sh'Merteni..." gjallon, kur bëhet fjalë për dikë që hesht kur nuk duhet. Sikundër është gjithënormativ antonimi (i pjesshëm ) "leh si qeni n'hanë..." kur ta mërzit...

Jo larg rri dhe tjetra po me konotacion qensh,  ...mbylle-lidhe buçen...!

Edhe miqësimi i një shenjti me damçorin, dmth aleat me "ukun" kundër grigjës duke u hequr shulat "armës" së  qenëve, kalon përmes shumë shpjegimesh, jo rrallë edhe pargjykimesh, ku dy rrinë dallueshëm në të njejtën linjë; i pari ai religjoz se Sheni... i frazeologjisë, e ka detyrim të kujdeset edhe për "ukun" si për gjithë gjallesat. Tjetra darviniane që ka lidhje me zinxhirët dhe ekonominë e species.

E vërteta është se në asnjë rast nuk lihen dyshime për komplote a kompromise midis grabitqarit dhe rojtsave në kurriz të grigjës.

Por me të dalë nga gojëdhanat, frazeologjitë dhe trillet, do mbërrijmë në "saharanë" kronopolitike të komunitetit tonë, e prej aty të pret e enjtja e politikës së lartë, ku delet e hutuara që pakësohen dramatikisht përditë në numër, duhet të asistojnë në farsat e "ukut".

Të enjten e fundit e lal'Mozi i tufëzës, diktaturës dhe i grykës së pushkës shtyu me bërryl (për më vonë) projektin e ligjit të gojë-lidhjes.

Në fare pak minuta, një ligj ortekor, gjigand, që për nga fama e fuste në xhep "çelikun e partisë" së pesë dekadave, përfundon në një farsë të thjeshtë që lëkundet si kungulli në ujë. Kjo sidoqoftë do të kalonte si ligj P.P.P-je nën rrogoz, po të mos e kishte lozen dhe rrënjën në farsë tjetër  "...punë qensh', në fabulën e së cilës heroi pozitiv të ishte kryeministri i vendit.

Atë ditë kur kreu...po u këndonte ninullën e gjumit, deleve të çoroditura, e shqetëson një tufë qensh lagjeje tek po merreshin me zanatin e tyre. Kryeministri duke parë me sa duket se melodia e tij po i kak'ofonohej keq me rivalët, trashi zërin dhe urdhëroi që ata atje të pushonin.

Normalisht sipas precedentëve duhej të vendosej qetësia, sepse nuk ishin larg vitet 2013-17, kur shungëllonte veç zëri i tij sovran e rivalët... soditnin pa bëzajtur veprën e "shtetbërjes" në hapsirën e të cilit fluturonin hënat, mushkonjat dhe gomerët, ndërkohë që skuadra e tahirzinjve me brumbujt..., bënin kërdinë mbi trupin, ekonominë, shëndetin politik e institucional të vendit.

Po ndërsa urdhëri nuk po zbatohej, këtij jo vetëm iu trash zëri, po iu ngref edhe kreshta dhe aty flakë për flakë, u futi një të sharë me (ana)listë shpije.

Dhe kur ata prap nuk i ulën veshët, gjë që nuk kishte ndodhur ndonjëherë në karrierën e tij, u shpërvoli buzët dhe zbuloi "qezërit" e ligjit.

Farsa "at the top." Projektligji i goj-lidhjes dmth e censurës, mbajti në suspancë e ushqeu me publicitet gjith' qenërinë e ertv-ve për muaj me radhë derisa përfundoi tek lal'mozi i tufëzës, diktaturës dhe i grykës së pushkës.

U shty apo u rrëzu?

Të fundit