U vetëdorëzua pas dy viteve në arrati, përfaqësuesja e OPDAT: Dënimi i Balilit, sukses i ‘drejtësisë së re’

Prokuroria  e Tiranës  zhvilloi  sot një aktivitet të quajtur “Open Doors” në kudër të Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku mes të pranishmëve ishte edhe  përfaqësuesja e OPDAT Michele Lakomy, e cila deklaroi para të ftuarve se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Reforma në Drejtësi mbetet prioritet.

“Që nga momenti që erdha në Shqipëri takova shumë njerëz të zhgënjyer nga korrupsioni dhe për mënyrën se si veprojnë kriminelët. SHBA kane një mesazh; ndryshimi është rrugës. Dënimi i fundit i Klement Balilit është një shembull se si procesi dhe drejtësia ka funksionuar. “Nje tjetër shembull që drejtësia po funksionon është dënimi i Emiljano Shullazit, një personi me rekorde të rrezikshme kriminale”, theksoi ndër të tjera ajo.

Michele Lakomy shtoi se fokusi është tek ndërtimi i SPAK për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin gjithashtu duhet të forcohet  KLP-ja dhe KLGJ-ja. Puna e OPDAT është vetëm një pjesë e punës së Ambasadës Amerikane duke qenë se reforma në drejtësi është një nga prioritetet kryesore.