Flash News

OP-ED

Uai ui dont riid buks enimor

Uai ui dont riid buks enimor

Gentian Gaba

Një nga lajmet më të nxehta të gushtit që sapo u mbyll, ishte ai mbi numrin e shqiptarëve mbi 25 vjeç, që nuk kishin lexuar as edhe një libër vitin e shkuar. Shifra e majme, një milion, la një shteg të gjerë për komente të ndryshme, shumica e të cilëve përcillte një habi ndaj kësaj shifre.

Megjithatë, larg vapës së gushtit, dhe gjykimeve të lehta që përballja me numrat shpesh nxit, ndjekësit e aktualitetit, dhe kundruesit e realitetit shqiptar, mund të pohojnë se rezultate të tilla nuk janë aspak të papritura.

Madje, nëse përdorim të tjera statisitka, që janë bërë të njohura po gjatë muajit gusht, do të plotësonim një puzzle që numrin e lexuesve e ka pjesë të së tërës, dhe jo thjesht një copëz të cilës nuk i gjindet vendi apo kuptimi.

Për shembull, sipas INSTAT, gjithmonë ai, rreth 900 mijë shqiptarë të moshës mbi 25 vjeç nuk zotërojnë asnjë gjuhë të huaj. Edhe pse 100 mijë më pak se ata që nuk lexojnë, me siguri gjuhën tjetër që flasin e kanë mësuar nga televizori, nuk kanë mësuar dot kurrë një gjuhë të dytë. Megjithatë, edhe kjo statistikë është një tjetër copës e puzzle-it, që tregon se ka diçka që nuk shkon në arsimin tonë, dhe jo uai ui dont riid buks animore (për ta thënë në anglishten e atyre që nuk e flasin).

Statistika tjetër, që në fakt është një listim i publikuar nga Top Channel, është renditja e 100 kompanive më të mëdha shqiptare. Nga ky pasqyrim evidentohet se Shqipëria është një vend i dominuar nga bizneset në fushën e shërbimeve, tregtisë dhe ndërtimit; me pak fjalë vendi ynë nuk prodhon, apo prodhon shumë pak. Pra, na mungojnë kompanitë prodhuese dhe industriale, ato që krijojnë vlerë të shtuar për ekonominë. Që punësojnë dhjetra mijëra njerëz për dekada, dhe janë zanafilla e një klase të mesme qytetarësh që zhvillonë jetën brenda sinoreve të diktuara nga kjo gjendje sociale. Njerëz që konsumojnë, arsimohen, dhe arsimojnë fëmijët e tyre; studiojnë gjuhë të huaja dhe, sipas shijeve, lexojnë edhe libra. Të mos harrojmë se ka një arsye pse romani modern ka lindur bash me borgjezinë!

Shqipëria nuk ka një shtresë të mesme, të paktën jo të përmasave të nevojshme për të prodhuar këtë lloj kulture leximi; madje vendi po polarizohet; pak andej nga fillimi me shumë zero, dhe shumë, madje shumë fare, nga fundi, ku xhepat janë përherë bosh.

Pyetja tani është: A mund të lexohet me xhepat, apo barkun bosh?

Psikologu amerikan Maslow do të thoshte, Jo. Sipas teorisë së piramidës, e cila mban emrin e tij, njerëzit e zhvillojnë jetën sipas një hierarkie nevojash, të cilat e motivojnë në jetë, në punë apo në shoqëri. Piramida ndahet në pesë nivele ose nevoja kryesore. Në bazë ka kërkesat bazike, të ngrënit, të pirit, riprodhimi dhe të paturit një strehë. Niveli tjetër është ai i sigurisë fizike, shëndetit, pronës, punësimit, familjes. Niveli i tretë është ai i përkatësisë, ku gjejmë miqësinë, dashurinë familjare apo intimitetin seksual. Në nivelin e katërt të piramidës vjen vetbesimi, respekti reciprok, vetrealizimi; pra stadi ku individi punon për realizimin e aspiratave. Në kulmin e kësaj piramide Maslow vendos aspiratat më të kulluara të njeriut si moralin, kreativitetin, mungesën e paragjykimeve dhe pranimin e tjetrit. Problemi, gjithmonë sipas psikologut amerikan, është se individi nuk mund të arrijë shkallët e epërme të zhvillimit nëse nuk ka plotësuar nevojat e shkallëve fillestare.

Nëse marrim për të mirëqenë teorinë e psikologut, një nga më të cituarit e shekullit të shkuar, edhe indikatorët ekonomikë dhe socialë të viteve të fundit, si për shembull raporti i Forumit Ekonomik Botëror, që thotë se në vitin 2017 pabarazia dhe varfëria janë rritur, kuptojmë se pjesa dërrmuese e shqiptarëve është ende në tri shkallaret e para të piramidës. Në një betejë të përditëshme për të plotësuar nevojat më themelore, larg luksit dhe komoditetit që kërkon libri.

Prandaj, mos u surprizoni nëse një milion shqiptarë nuk kanë prekur një libër vitin e shkuar; jemi një shoqëri e paplotësuar, jo e palexuar!

Dhets uai ui dont riid enimor…

Të fundit