Flash News

OP-ED

‘Udha e shkronjave’, shkolla që i dha një leksion qeverisë

‘Udha e shkronjave’, shkolla që i dha një leksion

Alfred Lela

Prokuroria e ka pushuar hetimin kundër shkollës jopublike ‘Udha e shkronjave’. Ndoshta pak vetë e mbajnë mend, por drejtuesit e kësaj shkolle vendosën, në fillim të marsit, si kundërpërgjigje ndaj shqetësimit të prindërve për përhapjen e koronavirusit dhe infektimin e fëmijëve të tyre, që të mbyllnin dyert ‘deri në një njoftim të dytë’.

Reagimi i ministres  së Arsimit ishte i rrufeshëm duke lajmëruar heqjen e lincensës së shkollës për përhapje paniku. Pasuar nga një padi për të cilën Prokuroria hapi hetimet përkatëse.

Ishte koha kur shefi i Qeverisë, ministrat dhe trubadurët e tyre, i konsideronin ‘përhapës paniku’ të gjithë ata që kishin filluar, me të drejtë të shqetësoheshin apo të trembeshin nga përhapja e epidemisë në vendin fqinj. Shqipëria, që e ka Italinë portën kryesore të komunikimit, qoftë shoqëror,  kulturor e të tjera, vazhdonte të ecte përpara në ngulmimin trumpian ‘business as usual’.

Këtë klimë të rrejshme sigurie dukej se prishte shkolla ‘Udha e shkronjave’, e cila me vendimin për të mbyllur dyert dukej sikur takohej me mençurinë e emrit të vet; një rimishërim i kodeve të Rilindjes Kombëtare përballë një mutacioni politik të quajtur me arrogancë dhe padrejtësi ‘Rilindje’.

Kur kanë kaluar javë të mira nga ajo zanafillë, qeveria ka ndërruar regjistër dhe është hedhur me shkulme nervoze në atë që quan ‘luftë’, bash aty ku e nisi me urti e pa bujë ‘Udha e shkronjave’. Sigurisht, që vendimi i bordit drejtues të shkollës mund të ketë qenë rastësi, dhe nuk kemi pse ta njatjetojmë si largpamësi; sigurisht, që mund të ketë qenë i shtyrë nga një premisë tregtare, prindërit (që u paguajnë tarifën e studimit fëmijëve të tyre janë automatikisht ‘aksionerë’) e kanë shtyrë shkollën të marrë atë vendim kundrathënës dhe kundravajtës me qeverinë.

Por, ka një element në atë vendim që e bën ‘qeverinë e shkollës’ largpamëse: shqetësimi publik. Prindërit dhe fëmijët janë një fragment i këtij shqetësimi, i padëgjuar nga qeveria e madhe. Atë mungesë në marrjen e hapave përshkallëzues për reagimin ndaj COVID-19 ‘qeveria Rama’ e kompensoi me radikalitet, kur e kuptoi se mund të ishte e vonuar.

Në këtë kuptim, ministrja e Arsimit dhe vetë kryeministri, që ishte frymëzuesi dhe kalorësi i parë i kryqëzatës ‘mos përhapni panik’, i detyrohen një ndjesë ‘Udhës së shkronjave’. Ishin ata që e lajmëruan të parët atë që pritej të vinte, duke e bërë qeverinë, nga largësia dhe kthjelltësia e fokusimit të ngjarjeve në retrospektivë, të duket si ‘Pacienti zero’ i koronavirusit.

Të fundit