Flash News

KRYESORE

Ultimatumi i Bashës: Xhafaj të largohet menjëherë nga detyra

Ultimatumi i Bashës: Xhafaj të largohet menjëherë nga detyra

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke folur në emër të opozitës, tha se kërkohet largimi i menjëhershëm i Fatmir Xhafës nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Në një dalje për mediat nga selia blu, kreu i demokratëve tha se prej një jave kur ka nisur publikimi i provave, shqiptarët, përtej bindjeve politike kanë pritur që Xhafaj të jepte dorëheqjen ose të shkarkohej nga posti që mban.

“Në bazën e këtyre fakteve, ligji shqiptar kërkon që Agron Xhafaj të arrestohet dhe të vuajë dënimin që ka marrë. Në bazë të këtyre fakteve, ligji shqiptar anti-mafia kërkon që pasuritë e tij dhe të vëllait Fatmir Xhafaj të hetohen”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës, u ndal edhe tek ligji Antimafia, zbatimi i të cilit, sipas Bashës, po pengohet nga Xhafaj.

“Fatmir Xhafaj si Ministër i Brendshëm pengon zbatimin e Ligjit Antimafia. Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm, ka penguar dhe pengon zbatimin e Ligjit Antimafia ndaj vëllait të tij dhe atij vetë. Fatmir Xhafaj është rasti I vetëm në botë ku Ministri i Brendshëm përgjegjës për zbatimin e Ligjit Antimafia, është vetë subjekt i Ligjit Antimafia”, theksoi Basha.

Kreu i demorkatëve tha se Shqipëria nuk mund të përballojë dot të shkojë nga një ministër i Brendshëm i drogës tek një ministër tjetër i Brendshëm i drogës.

“Ministria e Brendshme, as Policia, as Prokuroria e kapur nga dyshja Rama-Xhafa nuk vepron dhe nuk do të veprojë sa kohë Fatmir Xhafaj është ministër i Brendshëm, eprori politik i Policisë që kryen verifikimet dhe hetimet dhe padroni politik i Arta Markut dhe Donika Prelës. Prandaj Fatmir Xhafaj duhet të largohet menjëherë nga Ministër i Brendshëm. Shqipëria nuk mund të përballojë dot të shkojë nga një ministër i brendshëm i drogës tek një ministër tjetër i brendshëm i drogës. Fatmir Xhafaj refuzoi që vetingu në polici të fillonte nga ai vetë dhe tani është e qartë pse nuk e pranoi këtë. Tani është momenti që të largohet si Ministër që t’i nënshtrohet ligjit anti-mafia. Në emër të Partisë Demokratike, në emër opozitës, kërkoj largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafajt nga detyra e Ministrit të Brendshëm”, deklaroi Basha.

Të fundit