Flash News
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Alfred Lela
Një luftë mes dy Edëve, Ramës dhe Palokës, u fitua në fund prej deputetit demokrat. 'Thuthuqëria', mund të thuhet se, ka qenë më e shpejtë se harbutëria. Kryeministri, që jeton duke u nxjerrë bojën të tjerëve, ka bërë dje xhiron e shtypit të botës i bojatisur dhe terratisur në siklet. Nën atë blu të fortë nuk kishe si të mos e vije re shqetësimin e errët të kryeministrit që u lexua edhe te refuzimi 'mizor' i 'Dulqinjës ministrore' në krah, kur i ofroi mandilin e përunjësisë për të fshirë 'gjakun' e një plage në duelin e humbur.
Nuk ka qenë vetëm një akt spektakolar, në kuptimin e shtrirjes që kapi në spektrin e audiencës mediatike, spërkatja me bojë nga Edi i opozitës për Edin e qeverisë. Më shumë se kaq, duhet parë si një truk i nxjerrë nga manualet e protestave paqësore, që shkruhen e përdoren që prej Martin Luter Kingut, Gene Sharp-it, e me radhë te autorë apo protestues të tjerë, duke filluar nga Otpori në serbi, Occupy Wall Street në Amerikë, e me radhë.
Gjesti i deputetit demokrat njihet si act of disruption, shkakton pra një ndërpreje, një thyerje, një çarje, një krisje në rendin normal të gjërave. Njihet si një prej formave të protestës dhe, bashkë me sakrificën dhe rezistencën, pranohen si një trio përplotësuese në repertorin e lëvizjeve paqësore në të gjithë botën.
Kryeministri e kërkonte këtë lloj ndërprerjeje, e grishte atë, sepse edhe ai vetë komunikon nëpërmjet akteve të ndërprerjes: gjuha që bërbëlit pamundësinë e shqiptimit të saktë të fjalëve është vetëm e fundit dhe më fizikja, por Rama e ka plot pentagramin e retorikës me gjeste të tilla. Thënë këtë ai duhet të jetë i fundit që duhet të mërzitet apo tralliset nga forma të tilla të reagimit opozitar.
'Zonjushat delikate' që janë sa gra e sa burra (nuk e kam me ato që kujtojnë se e kam), dhe e qujanë 'barbari' bojën e derdhur mbi kryeministrin, nuk duhen marrë seriozisht. Ata e shohin, në stadard të dyfishtë, si spektakolare politikën vetëm kur benjamini i tyre, Rama, kryen transgresione (tejkalime). Kur i realizojnë të tjerët ato janë barbari, tradhti, katundari etj. Ky hendek në logjikë është punë dhe mjerim i tyre.
Ajo që vlen është leksioni që duhet të nxjerrë opozita nga veza e Hasës dhe boja e Palokës. Në çdo seancë opozita duhet të paraqitet me një act of disruption. Çdo herë deputetë e pakicës duhet të jenë një transgresion më lart se transgresionisti më i madh, Rama. Opozita duhet të fillojë të luajë me mjetet e tij: sy për sy e dhëmb për dhëmb.
Aktet politike thelbësore nuk kanë bërë shumë punë: një fushatë e gjatë dekriminalizimi ka prodhuar frute, por nuk është përkthyer elektoralisht. Aksioni i gjatë dhe i lodhshëm anti-kanabizim ka arritur të bëjë për vete vetëm pak ndërkombëtarë. Shumica e corpus diplomaticus ka zgjedhur stabilitetin para normalitetit, duke mbyllur të dy sytë para shkeljeve që në vendet e tyre do të kishin rrëzuar 99 qeveri.
Edi Rama i fitoi zgjedhjet me timon, tepsi, kazan dhe çitjane përballë një Lul Bashe që kishte një program të admirueshëm ekonomik, të strukturuar nga aleatët e CDU-së së Merkelit. Taksa progresive që shkon deri në 23 përqind u parapëlqye para një takse të rrafshtë 9 përqind?!?
Ky argument nuk do të thotë aspak se duhet braktisur thelbi, por se duhet ndërthurur me sipërfaqen transgresive. Edi Paloka këtë bëri dje.
Njerëzit, edhe ata politikë, mund të qortohen për shumë gjëra, por kurrë për kreativitet. Kryeministrit i pëlqen të eksperimentojë me harxhet e të tjerëve, siç e kemi parë shpesh, por, me sa duket, nuk ia paska ënda kur eksperimentohet mbi të.
Është rrugë dykalimëshe kjo e shkretë!