Flash News

KRYESORE

Urimi i Kryepeshkopit Anastas për shqiptarët për Krishtlindjen

Urimi i Kryepeshkopit Anastas për shqiptarët për Krishtlindjen

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Krishtlindjes. Mesazhi i tij ka qenë i fortë dhe domethënës “pajtimi” mes shqiptarëve, ndërsa vendi po kalon një moment të vështirë kjo për shkak të tërmetit, por edhe përplasjeve politike.

“Në një kohë kur ndasitë, tensionet dhe konfliktet po torturojnë botën, do ta kremtojmë Krishtlindjen në mënyrë më esenciale, vetëm nëse marrim pjesë, sipas mundësive tona, në përpjekjet për pajtim në ambientin tonë të ngushtë, në jetën profesionale, shoqërore, kishtare e politike. Pajtimi kërcënohet vazhdimisht nga egocentrizmi me shfaqjet e tij të ndryshme, si inati, zemërimi, dëshira për hakmarrje. Mënyra me të cilën Biri dhe Fjala e Perëndisë, i buti dhe i përuluri, vjen në historinë njerëzore, përcakton edhe mënyrën se si do të fitojmë mbi egocentrizmin. Parakusht kryesor për pajtimin mbetet falja, shprehja më e fortë e fuqisë së dashurisë. Fjala e Mishëruar, Krishti, këmbënguli që ne të themi vazhdimisht: “dhe falna fajet tona, sikundër edhe ne ua falim fajtorëve tanë…”. Ndjesa mbështet dhe gjallëron solidaritetin, bashkëjetesën paqësore të çdo grupimi shoqëror.”, ishte urimi i kryepeshkopit Janullatos.

Ai shton se për të kontribuuar në këtë pajtim, është e nevojshme të jemi pajtuar me veten tonë- me ndërgjegjen tonë, me mundësitë dhe me limitet tona- me qëllimin e jetës sonë.

“Duhet të përpiqemi vazhdimisht që, me Hirin hyjnor, të paqësohemi “me veten tonë” (1Thes. 5:13).

Biri dhe Fjala e Perëndisë që erdhi në botë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe festive, na kërkon që të marrim pjesë në veprën e Tij, e cila nisi nga grazhdi dhe përfundoi në Kryq. Që të ecim përpara drejt një pajtimi të vërtetë me Atë, me veten tonë dhe me njerëzit tanë të afërm, që të kemi mundësi të bashkëpunojmë për pajtimin e përgjithshëm, i cili ka si qëllim, nga ana eskatologjike, “t’i përmbledhë të gjitha në Krishtin”(Efes.1:10).

Duke kujtuar me mirënjohje mirëdashjen e Perëndisë që kremtojmë në Krishtlindje dhe, duke marrë pjesë në “shërbesën e pajtimit”, që nisi me Lindjen e Tij në botën tonë, do të bëhemi të denjë të psalim së bashku në mënyrë të ndërgjegjshme “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, dhe në njerëzit mirëdashje”.

Krishtlindje të bekuara!

Viti i Ri le të na sjellë paqe me shpresë gjallëruese, si dhe solidaritet të pandërprerë në sprovat e papritura të jetës.

Me dashuri të tërëshpirtshme më Krishtin, i Cili ‘ na dha shërbesën e pajtimit’,”

Të fundit