Flash News
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
“Ushtari i partisë”/ Dvorani sërish kryetar edhe me short, a rrezikon ngërçin KED pas padive të Metës?
Institucioni i presidencës ka zgjedhur me short të enjten 9 anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Të pranishëm në këtë proces ishin presidenti Ilir Meta, e ngarkuara me punë e SHBA, Leyla Moses- Ones, ministrja e Drejtësisë Gjonaj, kreu i KLP-së Gent Ibrahimi, Avokatja e Popullit etj.
Ndërkohë, sipas Kushtetutës anëtarët zgjidhen mes datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë (që edhe e drejton këtë institucion), një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë, dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative.
Duke u ndalur te anëtari i Gjykatës së Lartë, kandidat i vetëm ishte Ardian Dvorani, me të cilin presidenti Meta ka patur përplasje dhe akuza të ashpra ndaj tij, lidhur me kaosin që përfshiu pak javë më parë Gjykatën Kushtetuese, sa i takon emërimeve të gjyqtarëve të rinj.
Dvorani jo vetëm u bë pjesë e KED, por automatikisht është rizgjedhur automatikisht edhe kryetar i saj, sipas nenit 149/d të Kushtetutës.
Megjithatë, ajo që vlen për t’u theksuar është se KED rrezikon ngërçin, pasi presidenti më 19 nëntor ka dorëzuar dy padi ndaj Dvoranit me akuzat për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim i titullit, apo detyrës shtetërore” gjatë procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka bërë disa shkelje të rënda, që cenuan legjitimitetin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, uljen e besimit të publikut te kjo gjykatë dhe zbatimin të reformës në sistemin e drejtësisë.
Padia ndaj tij u dorëzua në tri prokurori: Prokurorisë së përgjithshme, Prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë për krimet e rënda dhe Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë.
Nga ana tjetër, sipas ligjit nëse një anëtar është në ndjekje penale nga organi i akuzës nuk mund të jetë pjesë e KED-së, që do të thotë se nëse nis hetimi ndaj Dvoranit, i vetmi nga Gjykata e Lartë për shkak të vettingut, atëherë ai largohet dhe ky institucion rrezikon të hyjë në ngërç.
Funksionet e KED
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme, për të kryer verifikimin e kushteve ligjore dhe për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ky Këshilli shqyrton dhe i rendit kandidatët sipas meritës profesionale.