Vajza e mjekes Najada Çomo bën apel dhe tregon detajet prekëse: Prej katër muajsh nuk e përqafoj dot mamin

Ndonëse flitet pak për ta në media, familjarët e mjekëve dhe gjithë stafit mjekësor të Infektivit, janë ndër njerëzit që e përjetojnë më shumë frikën për të afërmit e tyre dhe mallin sepse nuk i takojnë dot.

Greis Çomo, e cila është vajza e mjekës dhe shefes së pavionit në Spitalin Infektiv, Najada Çomos, ka bërë një apel të fortë për mbajtjen e maskës teksa tregon dhe detaje prekëse nga “ndarja” e tyre 4 mujore për shkak të COVID-19.

Postimi i plotë:

Personat që më njohin e dinë sa njeri diskret që jam, por e ndjej të nevojshme të shkruaj “2 fjalë”…

Prej më shumë se 4 muajsh, nuk mund të përqafoj dot mamin tim…

Prej më shumë se 4 muajsh, vetë ajo nuk mund të përqafojë dot gjyshen time…

Prej më shumë se 4 muajsh, unë dhe babi, shohim çdo ditë në sytë e saj lodhjen, përkushtimin, dëshpërimin për jetët e humbura, pavarësisht përpjekjeve të panumërta që stafi mjekësor është dukë bërë…

Prej më shumë 4 muajsh stafi mjekësor, të gjithë pa asnjë përjashtim, janë duke shërbyer me një energji dhe forcë të paimagjinueshme…

Prej më shumë se 4 muajsh na kërkohet që të zbatojmë disa rregulla të cilat, në këndvështrimin tim, nuk janë kaq të vështira dhe të pamundura.

Ju lutem, tregohuni pak egoist për veten tuaj, ruani distancën, vendosni maskën.