All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

OP-ED

Valdrini, apo 'Gentleman Jack'?

Valdrini, apo 'Gentleman Jack'?
All - Paragraf - 1

Senad Nikshiqi*

All - Paragraf - 3

Valdrin Pjetrin e kam njohur që herët, kur ishte pronar i Fashion Club në plazhin e Velipojës. Një club plot stil që bëri jo pak bujë në ato vite. Një nga bashkëpronarët ishte edhe Valdrin Pjetri. Vitet kaluan dhe nga një biznesmen nisi karrierën në politikë duke mbajtur ato poste që gjithë i dimë.

Më vonë kur u katapultua në Shkodër, me kërkesë e madje me këmbënguljen e vetë kryeministrit Rama, kisha një përshtypje pozitive, jo vetëm për faktin se ishte një njohje e hershme, por edhe për disa arsye të tjera. Një djalë i ri që rikthehej pas shumë vitesh dhe disa eksperiencash të suksesshme kishte një mundësi për të drejtuar qytetin e tij. Një shkundje e bashkisë Shkodër e cila ka zënë myk nën drejtimin 30-vjeçar të vetëm një force politike, e cila jo vetëm se s’ka bërë aspak sa duhet për këtë qytet (me papunësinë ndër më të lartat), por nuk ka ndërtuar as selinë e vet, shtëpinë e demokratëve.

Edhe pse disi i ndrojtur, me ndonjë gabim në prezantim dhe një qetësi në të folur më shumë se duhej, Valdrin Pjetri përcillte pozitivitet. Këtë e pranonin edhe demokratët të cilët thonin se ishte thjeshtë në partinë e gabuar.

Disa ndryshime brenda të majtëve në Shkodër, të rëndësishme, bashkë me lidhjet e forta në ambasada, si ajo e Italisë, ashtu dhe për faktin se Basha i 'dhuroi' bashkinë, i dhanë atij si resto dosjen, ose një dënim që Pjetri ka patur kur ishte student. Kaq u desh që PD të dilte në konferenca shtypi edhe tri herë në ditë me një sulm të egër frontal ndaj Valdrin Pjetrit duke e bërë nga një djalë që, siç thuhet mund të ketë patur në duar ca doza droge, në një “trafikant” të rrezikshëm që nganjëherë të dukej si Xhentëllmeni Xhek (trafikanti amerikano-irlandez Jack Diamond), dhe jo si një ish-student që mund të jetë zënë bashkë me shokët me disa doza.

Natyrshëm, morali politik në ditët që po kalon Shqipëria kur problemin më të madh social ka edhe trafikimin e drogës, si një shqetësim edhe botëror për shkak të përdorimit të shtetit tonë nga trafikantët për të kapur tokën europiane, e do që Pjetri të mos e merrte detyrën, siç ashtu ndodhi.

Në gjithë këtë lojë të pisët politike ku përdoret e shkuara e para 17 viteve e një djali të ri, a është e moralshme që ministri i Brendshëm i 21 janarit të jetë kryeministër i ardhshëm? A është e moralshme që ministri që u shmang me raporte mjekësore në Prokurori të jetë kryeministër në të ardhmen? A është e moralshme që ai që u kap me 700 mijë euro të jetë Presidenti ynë? A është e moralshme që ata që bënë Gërdecin të akuzojnë të tjerët? A është e moralshme që këta që e kishin Valdrinin të punësuar edhe në kohën e tyre ta sulmojnë atë sikur të ishte Xhentëllmeni Xhek?

A është e moralshme që ata të cilët ngrejnë gotat e verës, e cilësojnë si një mik për kokë apo edhe vlerësojnë me seriozitetin më të madh në radhët e PD, vetëm për hipokrizinë e ditës dhe vetëm për të bërë fotot që t’i shohë kryetari, të protestojnë kundër Pjetrit?

A është e moralshme që shqiptarët të durojnë këtë klasë politike 30 vjeçare e cila ka gllabëruar gjithçka, kjo klasë politike që la për 30 vite në varfëri popullin, kjo klasë politike e vjetruar e cila bëri që më shumë se 2 milion shqiptarë të emigrojnë në 30 vite, këta politikanë që mbërthejnë e zbërthejnë komça, që vendosin për tepsinë në lokale ordinere dhe që i vrasin çdo shpresën këtij populli duke mos i lënë asnjë alternativë përveç ikjes, këta që në 30 vite ricikluan të gjithë mbetjet e komunizmit, nga gjyqtarë vrasës të askohe e deri tek xhelatë që sot ngrejnë dy gishtat e lirisë dhe demokracisë, këta politikanë që nëse i kundërshton të zhdukin nga faqja e dheut.

Pse nuk arrestohen kokat e trafikimit të drogës të këtyre 30 viteve, por ata që fishkullohen janë vetëm ca përdorues ose shpërndarës apo ndonjë guximtar që tenton një fitim të mirë dhe bie pre e spiunimeve të shefave të tyre të drogës? A kanë lidhje të majtë e të djathtë me drogën dhe trafiqet, pse në gjithë këto vite nuk 'e hëngri' askush, a e mbrojnë ata njëri-tjetrin? A kanë biznese bashkë? A është rastësi që fëmijët e tyre fejohen e martohen bashkë? Kush i heton pasuritë e tyre? Si u bënë të pasur?

Valdrin Pjetri mund të jetë një i pasur, pasuri për të cilën mund të ketë edhe dyshime. Po pasuria e këtyre të tjerëve që vijnë në protesta me fuoristrada 200 mijë euroshe, me kostume 10 mijë dollarësh, unaza diamante e këpucë ekstremisht të shtrenjta, këta që kanë nga 4-5 vila për qytet apo që fëmijët e tyre e fshijnë djersën me 500 euroshe. Po këta a kanë moral të flasin, a janë më pak apo më shumë të përlyer? Cili është morali, si ai prifti që thoshte 'bëj si të them unë, por mos bëj si bëj unë'? Meqë të gjithë janë kështu, a duhet të qëndrojë një kryebashkiak kur zbulohet me ca doza të 17 viteve më parë, po themi që s’duhet të qëndrojë, po këta të tjerët a duhet të ikin njësoj si Valdrini duke qenë se janë 1 miliard fish më të përlyer? Pse nuk largohen?

Nuk kam frikë ta them me gjithë padakordësinë e një pjese ndoshta që do doja që ky “trafikanti”, ky “Xhentëllmeni Xhek” ta drejtonte bashkinë Shkodër, të paktën për një mandat, jo vetëm për t’i dhënë një mundësi atij, por për t’i krijuar një hapësirë një të riu që mund të shfaqte gjithë energjitë e tij në qytetin ku u rrit, për të shkundur nepotizmin 30-vjeçar (kjo edhe sikur PS të kishte 30 vite në bashkinë Shkodër) dhe për t’i dhënë një shans tjetër qytetit të Shkodrës që në 30 vite vetëm fle gjumë sepse nuk e lënë rehat lloqet politike.

Ashtu si i dhashë mbështetjen e sinqertë Voltana Ademit, 4 vite më parë pikërisht me shpresën që mund të na e rikthente Shkodrën, pavarësisht nëse jam zhgënjyer apo jo, po ashtu Valdrin Pjetri do doja që të ishte kryetari i Bashkisë sepse duhet të vijë një ditë që ky qytet të ndryshojë. Ndjej keqardhje për gjithçka që ndodhi dhe që i qëlloi Valdrin Pjetrit të bëhej 'Kurbani politik' në këtë situatë të vështirë për Shqipërinë, në një kohë kur shumë kanë dyshime që, siç thotë Topalli, Rama dhe Basha mbajnë njëri-tjetrin.

Dhe jam shumë më shumë krenar që po flas sot kur ai dha dorëheqjen, sot kur s’do jetë, sot kur e braktisën të gjithë ata që iu lëpinin dhe sot kur është një qytetar i thjeshtë, ndryshe nga 4 vite më parë kur Ademi mori mbështetjen time që në ditën e parë kur u konfirmua si kandidate. Fatmirësisht kjo nuk është një elegji politike, por thjesht një solidaritet ndaj një personi që mendoja se do t’i jepte diçka më shumë qytetit tim! Kushdo që ka më të voglin dyshim, e ftoj të ridëgjojë pyetjet e mia në çdo dalje publike të Valdrin Pjetrit sepse duhet t’i ndajmë gjërat. Mendoj se mbështetjen duhet ta lidhim me individin.

*Autori është gazetar në Shkodër

Të fundit