Flash News

KRYESORE

Valë e re emigrimi? Shqipëria me ritme të frikshme drejt plakjes

Valë e re emigrimi? Shqipëria me ritme të frikshme drejt plakjes

Emigrimi në Shqipëri është rikthyer me shifra të frikshme. Të rinjtë shohin si rrugëdalje të vetme ikjen nga vendi dhe nisjen e një jete të re në Europë, apo përtej atlantikut.

Kjo e ka çuar Shqipërinë drejt një plakje me ritme të shpejta. Nga vendi me popullsinë më të re në Europë, mosha mesatare e Shqipërisë është rritur nga 27 vjeç në 35.4 vjeç.

Në një intervistë me DË, sociologu Gëzim Tushi thotë se, "pakësimi i lindjeve, ulja e numrit të fëmijëve për grua nga 2.7 në më pak se 1.6 dhe zgjerimi i kërkesave për pensione e mbrojtje sociale ka krijuar problemet e veta në shërbimin shendetësor apo kujdesin social.”

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi bën përgjegjës standartin e ulët të jetesës, nivelin e lartë të papunësisë, si dhe nivelin e ulët të pagave, sipas tij më e ulta në rajon. Duke iu referuar Institutit te Statistikave ai shton se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2019, ishte 51.531 lekë. "Ky largim tregon pasigurinë e tyre për të ardhmen”, vlerëson psikologia Arjana Muçaj, e specializuar në psikologjinë sociale. "Kjo është edhe pasqyrë se si funksionon demokracia në vendin tonë, pasi respektimi i të drejtave të njeriut pothuajse nuk ekziston ose nuk  vlerësohet sa duhet”.

Për sociologun Gëzim Tushi arsye të forta për t'u larguar nga Shqipëria janë edhe synimet për karrierë dhe shkollim. "Disa janë pesimistë me situatën politike, konfliktet e vazhdueshme dhe natyrisht me mungesën e sistemit meritokratik”- shton Tushi.

Në një sondazh të kryer nga Fondacioni "Friederich Ebert”  (2018/2019) 40% e të pyeturve kanë shprehur dëshirën të ikin nga Shqipëria. Destinacioni më i preferuar është Gjermania.

Specialistët pajtohen me mendimin se largimi i të rinjve nga Shqipëria vjen si rrjedhojë e arsimit jocilësor dhe papunësisë. Referuar të dhënave të INSTAT shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë shënoi 22,2 % në tremujorin e parë të 2019.

Për ekspertët emigrimi masiv i popullsisë shqiptare do të lërë pas një shoqëri me shumë mungesa. Ata kërkojnë që klasa politike të ndërhyjë sa më parë për të ndaluar këtë fenomen, i cili po i merr vendit personat e kualifikuar.

"Duhet bërë një vlerësim i tregut të punës mbi kërkesën e nevojave që ka tregu për profesionet përkatëse. Kur themi cilësi kjo duhet të shoqërohet me edukimin dhe arsimimin e të rinjve dhe krijimin e mundësisë për punësim, kjo edhe nëpërmjet politikave të shkëmbimit me vendet e rajonit por edhe të BE”, tha psikologia Arjana Muçaj.

Socilologu Gëzim Tushi thekson se duhen strategji për të vlerësuar gjendjen reale social-ekonomike në vend, e më pas të ndërtohen politika për të ndalur këtë proces."Duhet të jenë ekpertët e fushave të ndryshme dhe jo politikanët që duhet të thonë fjalën e tyre se, çfarë duhet bërë, ku duhet të përqëndrohemi për të penguar procesin mekanik e metafizik të plakjes së popullsisë dhe "emigracionit të vonuar”, shprehet Tushi.

Për ekspertin Zef Preçi përmirësimi i klimës së biznesit në vend shoqëruar me politikat që nxisin rritjen e produktivitetit të punës dhe të pagave, janë ndër rrugët kryesore për frenimin e emigracionit ekonomik. "Po kaq i rëndësishëm mendoj është përshpejtimi i rritjes ekonomike të vendit me synim një rritje vjetore mbi 6%. Qëllimi është absorbimi I fuqisë së lirë punëtore”, shton Preçi.

Të fundit