Flash News

KRYESORE

'Valsi i lumturisë' i Ylljet Aliçkës, një reflektim mbarëeuropian

'Valsi i lumturisë' i Ylljet Aliçkës, një

Mario Bova

Për temën e emigracionit në Europë, një reflektim krejt i veçantë na vjen nga Shqipëria. Atë na e sjell një prej intelektualëve më interesantë të Ballkanit, shqiptari Ylljet Aliçka, shkrimtar, kineast dhe diplomat. I formuar mes Tiranës dhe Parisit, gjatë përvojës komplekse të tranzicionit shqiptar post-komunist, i pajisur me një përvojë të pasur pune pranë përfaqësisë së BE-së në Tiranë dhe ambasador i Shqipërisë në Francë, Aliçka bëhet interpretues i vlefshëm i proceseve të integrimit të Ballkanit në BE, proces të cilit, me mprehtësi, arrin t'i dallojë edhe frustrimet, edhe shpresat. Gjithçka përcillet me një penë të hollë, me aftësi të madhe për të kaluar sa nga ironia çshuguruese te tragjedia e egër.

Vepra e tij më e fundit, botuar në Itali nga Rubbettino, me titullin domethënës Il sogno italiano (në shqip titullohet "Valsi i lumturisë") përshkon një hark kohor që përfshin vdekjen e Hoxhës më 1985 deri në vitet e para të këtij shekulli. Subjekti vërtitet rreth historisë dramatike të përjetuar realisht nga 6 vëllezërit e motrat e familjes Popa, në roman të quajtur Tota, të cilët, për 5 vjet me radhë strehohen në ambasadën italiane në Tiranë, për të mbërritur më pas në Itali, më 1991, pas një sërë peripecish, të mirëdokumentuara, diplomatike, politike dhe burokratike. Ata marrin arratinë nga një Shqipëri pa të ardhme, ku regjimi po thërrmohet e prapë mbështet në egërsinë burokratike dhe shtypëse të partisë, në asfiksimin e lirive, në krizën rrënuese të ekonomisë; dhe skena e funeralit të Hoxhës, shkruar me një zotësi magjepsëse, është një pohim i ftohtë i gjithë historisë.

Në Itali, në tokën e ëndrrave të tyre, i pret një realitet i paparashikuar, i mbushur me ballafaqime të trishta me një përditshmëri të rënduar nga stereotipet dhe bishtnimet burokratike: një Perëndim i hutuar, një demokraci e mbyllur, një shoqëri që dyshon, përjashton dhe nuk kupton. Tradhtimi i ëndrrës, me davaritjen e mundësive të rreme që shihnin në media, e shpie këtë familje me 6 anëtarë drejt vetmisë, zvetënimit, çmendurisë dhe vetëvrasjes. Përplasja mes dy shoqërive të përshkuara nga keqkuptime historike, shoqërohet me politika të pafuqishme për të administruar fenomenet e mikpritjes, të takimit, apo dhe të kthimit të organizuar, politika të paafta për të deshifruar perspektivat e integrimit dhe të rritjes. Mësimi i autorit i drejtohet të dyja shoqërive: asaj shqiptare, të balsamosur e pastaj të asgjësuar nga regjimi komunist; dhe asaj italiane, të shtrembëruar dhe më pas të mykur nga një kapitalizëm autoreferencial. Që të dyja qeveritë i qasen problemit me shumë hezitim për t'i shkuar deri në fund shqetësimeve themelore: qeveria shqiptare për të çelur një epokë të re të drejtash e lirish; ajo italiane për të favorizuar integrimin përmes punës, duke kapërcyer politikën asfiksuese të bakshisheve të asistencës dhe asaj përjetësisht përjashtuese.

Me 6 vëllezërit e motrat Popa, ose Tota, jemi në fillimet e emigracionit masiv të shqiptarëve drejt Italisë dhe Perëndimit. Ata janë pionerët e pushtimit të ambasadave në Tiranë nga mijëra vetë dhe të arratisjes masive me anije dhe gomone, të kryera mes dy brigjeve përgjatë njëzet vjetëve. Rrëfimi i Aliçkës na shoqëron në gabimet dhe tmerret që grumbulloi e shkaktoi ai fenomen në vitet '90, për t'u riprodhuar, në përmasa shumë më të mëdha, në ngjarjet e emigracionit të sotëm. Aty shohim dramën e një pritjeje të papërshtatshme, si në mjete dhe kompetenca, dramën e dështimit të integrimit pa një politikë të vlefshme pune, çështjen e neglizhuar të formimit dhe njohjes së të drejtave qytetare, pamundësisë së një kthimi dinjitoz, atëherë kur kërkohet. Këto fenomene, Aliçka i shquan dhe i rrëfen përmes tragjedisë së mungesës së integrimit të 6 familjarëve Popa në Itali, në këtë provë të parë të emigrimit nga Shqipëria, dhe shtron në tryezë argumente për një debat aktual mbi keqinterpretimet dhe pafuqinë e emigracionit të ditëve të sotme. Nga tregimi i tij, del një mesazh strategjik dhe i nënkuptuar: triada "punë, formim, të drejta qytetare" duhet të jetë e domosdoshme për një integrim funksional, i cili të shndërrohet në ligjshmëri, siguri, mirëkuptim, mirëqenie; gjithashtu, ky integrim duhet të krijojë kushte për të shkrirë në një fatin e emigrantëve të rinj me atë të vendasve. E gjitha kjo përkthehet në një vepër letrare të dobishme, që të futet në shpirt e të mallëngjen, si dhe të shtyn të mendosh se Ballkani është një laborator i letërsisë europiane me frymëzim të madh shoqëror, të cilit duhet t'i kushtohet më shumë vëmendje dhe vlerësim.

Në ndërtimin e veprës, nuk duhet nënvlerësuar shqetësimi që ka autori për të paraqitur ngjarjet historike me vërtetësinë e tyre më të madhe, dhe këtë e bën përmes shfaqjes së burimeve dhe kërkimeve arkivore shumë profesionale. Gjatë viteve të shumta të ballafaqimit të dy diplomacive, dalin në pah ngjarje ndërqeveritare pak të njohura nga publiku në sfondin e një lufte të ftohtë: për shembull, një Adreotti jo i pandjeshëm ndaj "favorit" që i bëri Hoxha Italisë duke u prishur me Moskën; roli i Perez de Cuellar-it, si ndërmjetës në episodin vendimtar të transferimit të të gjashtëve në Itali.

Autori e mbyll me një post scriptum therës, një mësim elokuent për shoqëritë dhe politikat, përmbajtjen e të cilit Aliçka e merr nga një denoncim i shfaqur në shtypin italian të kohës nga ana e një shoqate kulturore milaneze: "Dymbëdhjetë vjet pas mbërritjes së tyre në Itali, askush nuk mendoi të gjente një zgjidhje të përshtatshme e dinjitoze për familjen Tota, as ndonjë përkrahje nga ana e shërbimeve sociale vendase. Si pasojë, ajo që ishte një problematikë me karakter politik e shoqëror, çuditërisht u shndërrua në një problem të rendit publik".

Vepra, e kufizuar në një periudhë të caktuar kohore, nuk mëton të parashtrojë vlerësime dhe komente për ngjarjet e emigracionit mesdhetar të viteve të fundit. Por thellësia e gjykimeve ka dobi të jashtëzakonshme për një krahasim efikas me këto të fundit, duke vënë në pah përsëritjen e shkaqeve shoqërore dhe të gabimeve politike. Si vepër letrare, Il sogno italiano ("Valsi i lumturisë") i kapërcen fuqishëm kufijtë e një hapësire kombëtare e lokale, për të arritur fuqinë e një reflektimi mbarëeuropian, për tragjedinë e tmerrshme të fenomeneve të emigracionit drejt kontinentit.

Përktheu: Aida Baro

Të fundit