Vasili apel mediave: Vendosni një standard dhe injoroni ERTV-në e Ramës

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili u ka bërë thirrje mediave që të injorojnë dhe të mos bazohen në materialet që ofron ERTV e kryeministrit Edi Rama, në sajë të diskutimit mbi projektligjin e paketës anti-shpifje.
Sipas Vasilit, në një deklaratë për mediat, krahas pushtetit të tij të parë ekzekutiv, Rama kërkon dhe pushtetin e katërt ta bëjë të tijin.

“Të nderuar njerëz të medias, pronarë, gazetarë, kameramanë, personeli ndihmës e të tjerë që prodhoni produktin mediatik sot ka ardhur koha për t’i thënë njëherë e mirë ndal këtij individi, këtij pushtuesi të medias i cili krahas pushtetit të tij të parë ekzekutiv kërkon dhe pushtetin e katërt ta bëjë të tijin, pasi ju e dini që ai ka prodhuar dhe televizionin e tij ERTV prandaj sot publikisht i drejtohem këtij pushteti që të tregojë fuqinë e tij dhe vendosjen e standardit të së vërtetës me veprime konkrete dhe veprimi konkret do të ishte bëjeni black, bllokojeni, refuzojeni ta reflektoni dhe ta pasqyroni Edi Ramën, kryeministrin pushtues të shqiptarëve dhe lëreni atë vetëm me ERTV e tij, le ta shohim sesi mund të përballet ky njeri përballë shqiptarëve kur në momentin që ai te këto media që i ka konsideruar qenef, hale dhe lehaqene t’i gjejë të mbyllura dyert e saj për mashtrimet dhe gënjeshtrat e tij.

Besoj që ky është veprimi i qartë, i prerë dhe i fortë për mashtrimin publik”, u shpreh Vasili dnër të tjera.