Vasjari: Shqiptarët nuk po ndiejnë më atraksion për Shqipërinë, do kemi demokraci pa popull

Analisti Arian Vasjari është shumë i shqetësuar se të rinjtë duan të largohen nga vendi, ndërkohë që ata nuk po ndiejnë më tërheqje për Shqipërinë.

“Nëse sot në shoqërinë shqiptare gjithmonë e më shumë ka hedhur rrënje ideja e rrufjanit për karrierë, kjo në fakt është një reminishencë e atij model moral që na është imponuar. Që vetëm duke korruptuar sistemi, politikën, bën paranë dhe avancon. Ne jemi një hap larg, që superstrukturat e korruptuara, janë futur deri aty sa do të na kondicionojnë për të ardhmen tonë. Ne kemi kaluar nga faza e demokracisë pa institucione, në fazën e demokracisë pa popull. Plaga më e madhe e jona si shoqëri është se shqiptarët nuk ndjejnë më atraksion për Shqipërinë. Të rinjtë shqiptar nuk ndërtojnë dot më një projekt në Shqipëri dhe kjo është tmerri i një demokracie, i një kombi.’, tha Vasjari në “Real Story” duke shtuar “Kam të bëj çdo ditë me student, dhe e kam të pamundur që të gjej dikë që të projektojë të ardhmen e tij. Të gjithë duan që të ndërtojnë habitatin e tyre diku jashtë kësaj gjeografie. Tashmë Shqipëria është vetëm një gjeografi dhe jo afeksion. Ne po shkojmë tek demokracia pa popull.”.

Ai shton se Shqipëria është një vend që për popullin e vet nuk vlen më.