Vdekja e 10-vjeçarit në Kakavijë, reagon PD: E pafalshme! Qeveria lejoi krijimin e radhëve të gjata, nuk informoi qytetarët në kohë

Partia Demokratike e ka cilësuar një alarm tragjik dhe braktisje te qytetarëve nga qeveria, ngjarjen e rëndë ndodhur sot në Kakavijë, ku një 10-vjeçar u përplas për vdekje nga një autoambulancë.

Sipas PD, në një deklaratë për mediat, situata e krijuar në pikat kufitare me shtetin grek është e pafalshme dhe akuzon qeverinë se lejoi krijimin e radhëve të gjata, dhe nuk informoi qytetarët në kohë.

“Mendimet dhe lutjet tona janë sot me prindërit dhe familjarët e fëmijës që humbi sot jetën në aksidentin tragjik, në mesin e krizës humanitare të krijuar prej 4 ditësh në pikën kufitare të Kakavijës. Zoti ju dhëntë forcë për ta përballuar dhimbjen dhe këtë humbje të rëndë.

Kjo ngjarje e rëndë është një tjetër alarm tragjik për braktisjen e qytetarëve nga qeveria. Është e pafalshme që qeveria lejoi krijimin e radhëve të gjata, dhe nuk informoi qytetarët në kohë.

Është në përgjegjësinë e qeverisë që Shqipëria u shndërrua në zonë të kuqe COVID, pasojë e të cilës është edhe kjo krizë humanitare në kufi.

Kjo krizë nuk zgjidhet me propagandë në rrjetet sociale. Nuk zgjidhet me postime virtuale nga rezidencat luksoze qeveritare ku pushon kryeministri, dhe as me xhiro me helikopter dhe rikthim në hotele me 5 yje ku pushojnë anëtarët e kabinetit të tij qeveritar.

Zgjidhja e krizës humanitare kërkon angazhimin në nivelet më të larta të qeverisë dhe komunikim të vazhdueshëm me qytetarët shqiptarë. Njerëzit meritojnë të trajtohen me dinjitet nga shteti i tyre”, thuhet në deklaratën e PD.