Vdekja e gjeneralit dhe ringjallja e diplomacisë

Dragan Biseniç, gazeta Danas

Paqja mes Iranit dhe SHBA-ve, pas dramës pesëditore e cila e përballi botën me një konflikt të ri dhe shumë të rrezikshëm, është paqja e parë në histori e lidhur nëpërmjet Tuiterit.

Menjëherë pas shpërthimit të raketave iraniane në dy bazat e koalicionit ndërkombëtar në Irak, në natën mes së martës dhe së mërkurës, ministri i Jashtëm iranian Mohamed Zarif, deklaroi se Irani „ndërmorri dhe përfundoi masat proporcionale në vetëmbrojtje në përputhje me nenin 51 të Kartës së OKB-së“ në bazat nga ku ka nisur sulmi “burracak“ kundër një shtetasi iranian.

Nuk duam përshkallëzim apo luftë, por do të mbrohemi kundër agresionit- konkludoi ministri iranian.

Nuk kaluan as dymbëdhjetë minuta, presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi: “Gjithçka është në rregull! Raketat janë hedhur nga ana e Iranit në dy baza që gjenden në Irak. Vlerësimi i numrit të viktimave dhe dëmeve materiale është duke u zhvilluar”.

“Tani për tani gjithçka është në rregull! Kemi ushtrinë tejet më të fortë dhe të pajisur më mirë … Do të jap një deklaratë nesër”- shkruajti Trampi.

Kësisoj, të gjithë ata në botë që prisnin gjithë tension dhe ndiqnin çdo sinjal në mënyrë që të detektonin se në cilin drejtim do të fillonte beteja dramatike e vitit tëri mes SHBA-ve dhe Iranit, mundën të shkonin atë natë të qetë për të fjetur. U zhdukën të gjithë sinjalet që mund të flisnin për një përshkallëzim të mëtejshëm, si puna e fjalimit urgjent të presidentit amerikan drejtuar kombit, apo mbledhja permanente e zyrtarëve më të lartë të administratës amerikane, madje edhe ata vetë shkuan nëpër shtëpi.

Në fjalimin e së mërkurës, presidenti amerikan pohoi se SHBA për momentin nuk do të kthejnë përgjigje nëpërmjet raketimit të bazave ushtarake të Iranit, gjë me të cilën u mbyll përfundimisht edhe faqja e parë e konfrontimit ushtarak direkt mes dy vendeve.

Pas disa viteve ndoshta do të flitet sesi bota ishte buzë një konflikti të madh, por jo nuklear, ose se ishte fjala për transferimin e strategjisë së Luftës së Ftohtë të quajtur “hakmarrje e kufizuar” në përballjen mes dy ark-armiqve.

Për këtë është interesante të gjendet një shpjegim se përse ndodhi ky konflikt dhe si ndodhi që ai u fashit aq befasisht, si puna e ndonjë zjarri në pyll, po ashtu edhe shpjegimi se përse Trampi e kishte të nevojshme këtë demonstrim të likuidimit të Sulejmanit?

Punëtori i dikurshëm i ndërtimit dhe “badi billderi”, Kasem Sulejmani, u ngrit në hierarkinë ushtarake të “recolucionit islamik”, në mënyrë të tillë që, në fillim të luftës kundër Shtetit Islamik u shndërrua në një figurë të romantizuar që simbolizonte sa suksesin e luftës kundër “kalifatit islam”, aq edhe suksesin e depërtimit rajonal të Iranit, i cili gjëndet buzë sferës së dikurshme të ndikimit të Perandorisë së persëve- që nga Afganistani deri në Mesdhe.

Siria ishte margaritari i kurorës së Sulejmanit, dhe në mënyrë të veçantë roli i tij në bindjen e rusëve për të ndërhyrë direkt në këtë vend. Sulejmani, sipas fjalëve të gjeneralit Mohamed Xhafer Asadi, i cili ishte një prej komandantëve udhëheqës të Gardës revolucionare të Iranit, gjatë verës së vitit 2015, bisedoi me Putinin për dy orë e njëzet minuta në mënyrë që ta bindte atë që Rusia të dërgonte ushtrinë e saj në Siri në anën e qeverisë së Asadit, gjë e cila vërtetë ndodhi në muajin shtator të po atij viti.

Për mitologjizimin e rolit të Sulejmanit, kanë kontribuar jo pak edhe mediat amerikane. Ai është glorifikuar si ‘grushti goditës’, ndërsa ai vetë pothuajse nuk fshihej fare, madje ngjasonte me ndonë hero hollivudian. Një figurë e tillë, nuk i pëlqenta aspak shërbimit sekret iranian, i cili ndiqte me kujdes çdo hap të tij.

Portreti i tij i nuancuar mund të bëhet i plotë mbi bazën e raporteve të Ministrisë iraniane për çështje të sigurisë, të cilët këto ditë kanë rrjedhur në publik dhe para kësaj, me shumë siguri, edhe deri te shërbimet e tjera të informimit. Këto janë dokumente që kanë të bëjnë me aksione që janë zhvilluar në periudhën 2013-2015 kundër Shtetit Islamik dhe, në këtë kuadër, japin me shumë njohuri për personalitetin e gjeneralit të likuiduar.

Zbuluesit iranianë shprehnin shqetësim për shkak të taktikës brutale që zbatonin  aleatët iranianë të Sulejmanit, dhe e cila mund të bëhej pengesë për praninë afatgjatë iraniane në Irak. Sulejmani kritikohej për “vetëreklamim” në luftime. Ky publicitet e bëri atë një simbol të terrorit në sytë e shumë irakenëve.

Duhet të shënojmë se mes Ministrisë iraniane për çështjet e sigurisë dhe Gardës revolucionare të Iranit, dhe në mënyrë të veçantë të formacionit Kudsi, ekziston një rivalitet, i cili, natyrisht, është në favor të Kuds-ëve dhe Gardës revolucionare. Është interesante të shënojmë gjithashtu se Sulejmani kishte raporte shumëvjeçare me ish ministrin turk të punëve të Jashtme dhe, po ashtu, ish- kryeministrin Ahmet Dautogllu dhe në fillim, roli i tij në politikën e jashtme iraniane, shihej si i ngjashëm me atë të Dautogllusë në Turqi, si fuqi intelektuale në politikën e jashtme iraniane.

Kur lufta kundër Shtetit Islamik u forcua, Sulejmani, siç shënojnë agjentët iranianë, rolin e tij më shumë e krahasonte me rolin e shefit të aparatit informativ turk Haklan Fedan, por nuk japin më shumë detaje.

Një vit pas braktisjes së marrëveshjes nukleare në vitin 2018, status kuoja vazhdonte të dominonte në Lindjen e Mesme. Pas kësaj, në muajin prill të vitit 2019, Sekretari i shtetit Majk Pompeo paralajmëroi vendosjen e embargos për eksportin e naftës iraninane. Jo shumë kohë pas kësaj, Irani braktisi politikën e “durimit strategjik” dhe iu kthye rezistencës dhe kthimit të goditjeve: në fllim kundër tankerëve të naftës, pastaj kundër dronëve amerikane dhe më në fund, në muajin shtator, kundër impianteve të naftës arabe.

Me situatën në Siri të zgjidhur në favor të Iranit, në vjeshtën e vitit të kaluar filloi lufta vendimtare për dominim në Irak. Demonstrimet u profilizuan si luftë kundër forcave proamerikane dhe antiamerikane, meqenëse, krahas ndihmës saudite për shkak të sulmit në impiantet e naftës, filloi me aksion edhe lufta kundër pranisë iraniane në Irak dhe elitës qeverisëse në Bagdad, e cila ishte besnike ndaj Sulejmanit, Iranit dhe fuqive të huaja.

Përshkallëzimi arriti kulmin me sulmin e koordinuar ndaj ambasadës amerikane me 28 dhjetor, gjë e cila në shumë gjëra të kujtonte një ngjarje të ngjashme që prej 40 vitesh në Teheran. Shanset që të përsëritej drama 444- ditore e shqetësuan shumë Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti amerikan, në të njejtën kohë u gjend në një situatë mjaft të pakëndshme. Në vitin e zgjedhjeve, u votua impiçment-i kundër tij në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe pritet seanca e gjatë e dëgjimit në Senat.

Figura pozitive dhe ngjarjet po ashtu pozitive ishin shumë të dëshiruara. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për një personalitet tjetër në Lindjen e Afërme, i cili ishte shumë i interesuar për këtë rast- kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu. Ai gjendet para zgjedhjeve të treta të cilat janë jo vetëm politike, por edhe luftë për jetën, sepse është i akuzuar për korrupsion, dhe hetimi ende vazhdon.

Presidenti amerikan shkroi në llogarinë  e tij në Tuiter se e konsideronte përgjegjës Iranin për ngjarjet e dhjetorit. Ministri i jashtëm iranian u përgjigj në mënyrë sfiduese: se SHBA-të nuk mund t’i bëjnë asgjë Iranit dhe se duhet të merren me faktin se përse të gjithë në rajon i urrejnë.

Trampi, gjatë festës së Krishtlindjes, këto ngjarje i ndoqi nga rezidenca e tij në Mar a Lago, teksa ndeshjet e golfit përziheshin me aksionet e pritshme në Lindjen e Afërme. Besohet se pikërisht atëherë ka miratuar sulmin ndaj komandnatit të Kuds-ëve, ndoshta duke menduar se shkuarja e tij në Bagdadin e ndezur mund t’i sillte telashe të reja Amerikës në Irak.

Rrethanat e bashkuara në këtë mënyrë, bënë që të vendosej fati i gjeneralit iranian: lufta për praninë amerikane në Irak, frika nga sulme të tjera ndaj ambasadës amerikane dhe viktima të mundshme amerikane dhe kalkulime të politikës së brendshme të aktorëve më të rëndësishëm të skenës së tanishme në Lindjen e Afërme.

Mediat ruse (Novaja gazjeta) ishin ndër të parat që shtruan pyetjen sesi ishte e mundur që të kryhej një aksion kundër një prej udhëheqësve më të rëndësishëm të ushtrisë iraniane. Në këtë kuptim ato ofruan një përgjigje, e cila, gjoja, vinte nga burime të pacituara të Hezbollahut libanez. Atentati, gjoja, ka qenë i mundur për shkak të veprimtarisë së spiunëve në radhët e Gardës revolucionare të Iranit, ose më mirë të themi të hezbollahëve, meqënëse Sulejmani në Bagdad kishte ardhur me avion nga Libani. “Novaja Gazjeta” nënvizon se burimet nga Hezbollahu pohojnë se Irani asnjëherë nuk i ka ndërprerë bisedimet me SHBA-të për heqjen e sanksioneve, porse gjenerali Sulejmani ka qenë “pengesa më e madhe” e marrëveshjes.

Në këtë kuptim, eleminimi i Sulejmanit rrit shanset për “detantë” mes Iranit dhe SHBA-ve, por jo direkt tani. “Bisedimet kanë patur kundërshtarë të fuqishëm në Gardën revolucionare të Iranit. Një prej më të ashpërve ishte Kasim Sulejmani. Me eleminimin e tij është e mundur të pritet jo rritja e tensioneve,  por zhvillimi i mëtjeshëm i procesit të bisedimeve. Ka mundësi që të dëgjohen fjalë të forta, por ato nuk do të vinë menjëherë”- parashikon bashkëbiseduesi nga Hezbollahu.

Këtë qëndrim është e vështirë ta marrim sitë mirëqënë, për më shumë se vetë Sulejmani ishte i afërt me “rrymën e të maturve” në estabilishmentin iranian, ndërsa në zgjedhjet presidenciale ka mbështetur kryetarin e parlamentit Ali Laraxhani.

Pa marrë parasysh nëse janë të bazuara ose jo këto spekulime, mbetet pyetja: si ishte e mundur të kryhej ky aksion?

Senatori amerikan Ron Pol zbuloi diçka më shumë nga prapavija amerikane e këtij aksioni. Ai vlerësoi, ndoshta në mënyrë tejet të hershme, se vrasja e Sulejmanit përfaqëson “fundin e diplomacisë me Iranin”. Pol nënvizoi se kjo është politika e Xhon Boltonit, qëndrimi sipas të cilit “duhet bërë diçka dramatike, të themi të likujdohen liderë të huaj”. Nga ana tij, në reaksionin e tij, Boltoni tha se vrasja e Sulejmanit “është përgatitur për një kohë të gjatë”.

Agjentët amerikanë kanë bërë me dije se prej vitesh me radhë kanë patur dijeni çdo minutë për ditën e Sulejmanit, dhe se “pesë ose gjashtë agjensi të huaja të inforimimit mund të lajmëronin se ku gjendej ai në çdo moment”. Sikur një gjë e tillë të ishte pjesë e rutinës ditore. Sulejmani thoshte: “amerikanët mund të më gjejnë në çdo moment, por nuk guxojnë të më sulmojnë”.

‘Insajderë” të tjerë nga administrata e Trampit dëshmuan në media se Majk Pompeo që gjatë verës ka lobuar në mënyrë aktive për vrasjen e gjeneralit iranian, dhe se në 18 muajt e fundit ka ndjekur çdo hap të gjeneralit të likuiduar. Sekretari i shtetit Majk Pompeo ditën e dielë me 6 janar, mori pjesë në gjashtë programe mëngjezi dhe në to, 14 herë përmendi dhe kritikoi Obamën dhe administratën e tij. Pompeo disa herë ka deklaruar se “kjo luftë” ka filluar me lidhjen e “marrëveshjes bërthamore” me Iranin në vitin 2015.

Në kulmin e retorikës ndezëse dhe kërcënuese mes dy palëve, duket se ndërmjet taborreve që janë përballë njëri tjetrit ka ekzistuar komunikimi në nivele të thella, kësisoj mund të thuhet se këto ngjarje shpien në “rigjallërimin” dhe jo në “vdekjen e diplomacisë”.

Kështu, që me 3 janar, në Lindjen e Afërme u përhap lajmi se ambasada zvicerane, e cila përfaqëson interesat amrikane në Teheran, ka përcjellë një letër amerikane në të cilën insinuohej se SHBA-të do të duronin një aksion kthyes iranian, i cili do të ishte në përpjestim me atë amerikan, dhe në këtë rast, nëse me kaq do të ndalonte gjithçka, nuk do të kishte përshkallëzime të mëtejshme. Ambasada zvicerane në Teheran, pas goditjes kthyese iraniane, pohonte se nuk kishte patur, nëpërmjet saj, komunikim mes SHBA-ve dhe Iranit, por nuk saktësonte se për çfarë bëhej fjalë. Burime nga administrata amerikane bënë me dije se pala amerikane dhe iraniane, në kulmin e krizës kanë komunikuar tri herë. Me këtë version përputhet edhe deklarata e këshilltarit të udhëheqësit të lartë iranian Hamnei dhe ish ministrit të Mbrojtjes Husein Degan, dhënë reporterit të CNN Frederik Plajtgen, e cila është dhënë një ditë më vonë, me 4 janar, dhe e cila pohonte se Irani do të sulmonte vetëm një shënjestër dhe kjo do të ishte shënjestër ushtarake. Këtë do ta bëjnë forcat ushtarake iraniane dhe jo milicia. “Amerika ka ndërmarrë një aksion direkt kundër nesh e kësisoj edhe ne do të ndërmarrim një aksion direkt kundër Amerikës”, tha ish ministri i Mbrojtjes. Shtoi gjithashtu se Irani nuk do të shpejtohet me aksionin, dhe se ai do të jetë “i mençur dhe me një shenjestër që do të përzgjidhet me vëmendje”, por “njëkohësisht me efekt vendimtar kthyes”. Në lidhje me kërcënimet e Trampit për aksione më të fuqishme, nëse bëhet ndonjë aksion kthyes nga ana e Iranit, Degani tha se ishin amerikanët, e jo iranianët ata që filluan konfliktin, e kësisoj, “Amerikanët duhet të pranojnë një reaksion përkatës ndaj aksioneve të tyre”. “E vetmja mënyrë për të përfunduar këtë është që amerikanët të durojnë një goditje, të njejtë me atë që kanë dhënë. Pas kësaj ata nuk duhet të hyjnë në një qerthull të ri”, tha këshilltari i Hamneit.

Në fund të fundit kështu edhe ndodhi.

Versioni trampist i strategjisë së “çomanges”, që amerikanët e kanë zbatuar në fillim të shekullit 20-të, ka edhe rregullin që kundërshtarit i duhet lejuar “të ruajë fytyrën”.

Me sa duket të njëjtën gjë dëshironte dhe qeveria iraniane.

Para raketimit të bazave ishtarake, sipas asaj që deklaruan nga qeveria në Bagdad, Irakut ia kanë bërë me dije aksionin ushtarak, dijeni të cilën qeveria irakene, ia ka përcjellë Amerikës dhe të gjithë vendeve të tjera që u përkiste. Po ashtu, Finlanda, kishte dijeni për këtë aksion.

Fokusi i problemit iranian tani, dhe kjo dihet mirë, kalon në një bosht tjetër të konfrontimit, atë të Europës dhe NATO-s.

Trampi, në fjalimin e tij, pohoi se në përballjen me Iranin do t’i kthehet strategjisë së “presionit maksimal”, e cila nënkupton që Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Rusia dhe Kina duhet të tërhiqen nga marrëveshja nukleare me Iranin dhe kësisoj ta izolojnë plotësisht Iranin, gjë e cila, sikurse mendojnë Trampi dhe bashkëpuntorët e tij, do ta shpinte atë drejt një kapitullimi politik të shpejtë dhe përfundimtar.

Nuk ka dyshim se aksioni iranian do të jetë boshti rreth të cilit do të formësohen raportet e mëtejshme të aktorëve të politikës botërore, faqet e para të së cilës sapo janë hapur, ndërsa priten zhvillime dhe ashpërsime të tjera.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza