Vdes e moshuara në QSUT, 23 viktima nga COVID-19 në Shqipëri

Shqipëria ka shënuar viktimën e 23 nga koronavirusi, e njoftuar pasditen e të enjtes nga autoritetet. Me anë të një njoftimi zyrtar, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ndërroi jetë një e  moshuar 72-vjeçare, e cila ishte në QSUT dhe prej ditësh ndodhej në terapi intensive. E moshuara vuante dhe nga sëmundje të tjera shoqëruese.

“Një paciente 72 vjeçare nga Tirana, me inicialet V.S., ka ndërruar jetë pasditen e sotme në spitalin infektiv në QSUT, e konfirmuar me COVID19.

E moshuara ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në terapi intensive prej disa ditësh, ndërsa gjendja e saj është rënduar së tepërmi gjatë ditës së sotme, kur edhe është intubuar, por pavarësisht trajtimit mjekësor dhe përpjekjeve të mëdha të mjekëve, nuk ka arritur të mbijetojë.

72 vjeçarja vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruse: insuficenca renale kronike, hipertensioni dhe hipotiroidizëm.

E moshuara është viktima e 23 me COVID19 në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe apelon qytetarët t’i respektojnë me shumë rigorozitet masat e distancimit social dhe izolimit, pasi janë përcaktuese për frenimin e përhapjes së COVID-19”, shkruan MSH.