Flash News

KRYESORE

Vdes ish-roja i Aushvicit, i përfshirë në vdekjen e 170.000 personave

Vdes ish-roja i Aushvicit, i përfshirë në vdekjen e 170.000

Një ish-roje i kampit të përqëndrimit të Aushvicit, i cili u dënua me pesë vjet burg vitin e kaluar si bashkëpunëtor në vrasjen e më shumë se 170 000 personave, vdiq në moshën 95 vjeçare, konfirmoi avokati i tij.

”Reinhold Hanning, i cili vullnetarisht u bashkua me esesët e Adolf Hitlerit në moshën 18-vjeçare, vdiq të martën në qytetin Lage në veri perëndim të Gjermanisë”, njoftoi sot avokati i tij, Andreas Scharmer.

Hanning u shpall fajtor nga një gjykatë në Detmold qershorin e kaluar si bashkëpuntor në vrasjen sistematike të 170 000 njerëzve midis viteve 1943-1944 në kampin e Aushvicit.

Hanning ishte i pranishëm në kamp gjatë të ashtuquajturit “Operacioni hungarez” dhe deportimit të 425 000 hebrenjve hungarezë në Aushvic gjatë një periudhe prej tre muajsh, në vitin 1944.

Për dekada me radhë, gjykatat gjermane argumentuan se udhëheqja e lartë naziste ishte kryesisht përgjegjëse për vrasjen masive të hebrenjve dhe se individët e rangut më të ulët gjatë Holokaustit ishin të detyruar nga një zinxhir komandues dhe për këtë arsye, ishin më pak fajtorë.

Kjo qasje ndryshoi rrënjësisht pas një precedenti ligjor të vendosur nga dënimi i vitit 2011 i John Demjanjuk, i cili u shpall fajtor nga një gjykatë në Munih si bashkëpuntor për vrasjen e më shumë se 28 000 hebrenjve, ndërkohë që ai ishte roje në kampin Sobibor, në Poloninë e pushtuar.

Të fundit