Veliaj aplikon për pasaportë dhe kartë të re ID: Mbarova punë për 2 minuta

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka aplikuar për pasaportë dhe kartë identiteti pranë zyrave në lagjen numër 13 të kryeqytetit, ndërsa ftoi qytetarët që ende nuk kanë bërë regjistrimin e saktë të adresës së tyre, të përfitojnë nga kjo periudhë.

Bëhet fjalë për karatat e identitetit që janë marrë në mars të vitit 2009 nga qytetarët dhe tashmë skadojnë, kushdo ka afat deri në muajin dhjetor për të bërë aplikimin. Me zyrat e hapura nga Bashkia e Tiranës në të gjitha njësitë administrative, shmangen kështu edhe radhët e gjata.

“Jam shumë i lumtur që lagjet e reja po ofrojnë lehtësira, që më parë ishin një andrallë e vërtetë për qytetarët. Radhë të tëra, dyndje në zyra, për pasaportat e reja dhe kartat e identitetit. Herën e fundit që isha në këtë zyrë, në zyrën e lagjes sime, më mori 2 minuta kohë që të bëja zhvendosjen e rezidencës. Do të thotë se duhet të regjistrohemi të gjithë atje ku banojmë, që bashkia ta ketë të lehtë edhe për investimet nesër, edhe për mënyrën si ndan buxhetin, ose si ofron shërbimet”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve që të nxitojnë të rinovojnë edhe dokumentet e tyre të identitetit.

“Mbarova punë në 2 minuta dhe për 2 javë do kem pasaportën e re dhe kartën e re të identitetit. I ftoj të gjithë qytetarët, shfrytëzoni këtë kohë sa ka rënë fluksi, mos prisni që të vijë fundi i vitit, kur të dalin jashtë përdorimit, por fare mirë mund t’i nxirrni jashtë përdorimit tani dhe të shfrytëzojmë këtë hapësirë për të bërë rinovimin e kartës, edhe të pasaportës”, tha ai.