Veliaj inspekton dëmtimet nga tërmeti në shkollën ‘Musine Kokalari’: Mbi 90% e shkollave, kopshteve dhe çerdheve nuk kanë probleme

Rreth 90 për qind e shkollave, kopshteve dhe çerdheve publike në Tiranë nuk kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit. Kurse fëmijët që mësojnë në shkollat e dëmtuara do të zhvendosen në ato më të afërta.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot në shkollën “Musine Kokalari” në Kombinat, e cila është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, nga ku tha se fatmirësisht shumica dërrmuese e shkollave nuk kanë pësuar dëmtime. Ndërsa, për pjesën tjetër të institucioneve arsimore që kanë probleme, shtoi se ato që janë vlerësuar si të papërshtatshme për t’u riparuar, do të prishen, kurse ato me dëmtime më të vogla do të rikonstruktohen.

“Lajmi i mirë është se mbi 90% e godinave në Tiranë për shkolla, kopshte dhe çerdhe nuk kanë probleme. Ama, në atë pjesë ku ka probleme do të duhet të marrim disa vendime. Vendimet janë këto: dy shkollat në Pezë dhe në Pezë të Vogël do të prishen sepse nuk mbajnë më, janë struktura të vjetra, të bëra në vitet e skamjes, që nuk mbajnë më rikonstruksion. Për këto vendimi është marrë. Për disa shkolla si “Musine Kokalari”, “Ramazan Jarani”, “Lasgush Poradeci” na duhet të bëjmë një vëzhgim akoma më të thelluar”, u shpreh Veliaj.

Veliaj njoftoi se në kryeqytet po punohet me dy mega-skuadra: një skuadër po bën verifikimin e pallateve, kurse tjetra po merret me verifikimin e institucioneve arsimore.

Sipas tij, brenda ditës së nesërme do të ketë një panoramë më të qartë dhe përfundimtare të gjendjes së çerdheve, kopshteve dhe shkollave që nuk paraqesin asnjë rrezik dhe ku mund të rinisë normalisht mësimi, ndërsa për pjesën tjetër ku ka nevojë për riparime apo prishje të godinës ekzistuese, fëmijët do të transferohen në shkollat më të afërta.

“Të martën në darkë do të bëjmë një deklaratë për të gjitha shkollat, kopshtet, çerdhet, që do të hapen. Qëllimi ynë është t’i hapim të gjitha, edhe “Musine Kokalarin”, por duke vijuar me turnin e dytë tek “Betim Muço”, që ndodhet në anën tjetër të rrugës. Fati i madh është se kemi më shumë shkolla të reja. Kemi sot shkollën “Betim Muço”, “Ardian Klosi”, “Hoxha Tahsin”, “Kosova”, “Servete Maçi”. Pra, kemi mjaftueshëm shkolla të reja me një turn, ku shkolla ngjitur që mund të jetë dëmtuar, të kalojë rrugën për të vijuar mësimin”, tha Veliaj.

Ndërsa për institucionet arsimore private do të jetë Ministria e Arsimit ajo që po bën verifikimet për gjendjen e tyre dhe që do të përcaktojë se cila prej tyre nuk paraqet asnjë rrezik.