Veliaj merr në makinë deputetin e PS për të inauguruar të parët Unazën e Madhe të Tiranës

Erion Veliaj në rolin e shoferit dhe Pandeli Majko si pasagjer kanë inauguruar të parët Unazën e Madhe të Tiranës. Ky projekt i zvarritur prej dekadash është më në fund sot për qytetarët e Tiranës, dy ditë përpara se të nisë viti i ri shkollor.

Deputeti i PS, Pandeli Majko e cilësoi hapjen e segmentit të ri të Unazës së Madhe një ditë të shënuar.

Me një gjatësi prej 2.1 km, segmenti Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike është e kategorisë A2 e përshtatur për zona urbane me rrugë kryesore, rrugë paralele dhe e konceptuar si rrugë shpejtësie me 12 hyrje-dalje të disiplinuara. Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe për të rritur sigurinë e qytetarëve, janë ndërtuar dhe katër mbikalime automjetesh në disnivel, mbikalime këmbësorësh të pajisura dhe me ashensor për PAK, si dhe në të dy senset e lëvizjes janë ndërtuar trotuarë si dhe korsi biçikletash.

Punimet përfshijnë ndërtimin e plotë të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve, vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, instalimin e plotë të ndriçimit rrugor si dhe shtimin e gjelbërimit.